900 0 1763191718x0e4a1f5c c50c 4377 9fd1 841b1b16bebf

Ka shkuar në dy numri i viktimave nga atentati në Rinas. Muçi Shaljani (Sheqeri), ndërroi jetë sot, 15 nëntor, në spitalin e Traumës.

Ai qëndronte prej të martës në gjendje të rëndë si pasojë e dhjetë plumbave, dy prej të cilëve në kokë, që mori nga breshëritë që u lëshuan ndaj tij dhe Gilmando Danit.

Ky i fundit humbi jetën në vendngjarje, më 11 nëntor.

Shaljani dhe Dani sapo ishin kthyer nga Barcelona kur ndaj të dyve u bë atentat. Autorët u bënë pritë në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit. Si pasojë e plumbave, Dani humbi jetën menjëherë, ndërsa fillimisht Shaljani mbeti i plagosur.

Autorët më pas u larguan në drejtim të fshatit Halil ku dogjën makinën, një mjet tip “Toyota Yaris”. Prej aty gjurmët e tyre janë zhdukur. Policia ka shpallur në kërkim Ylli Zallën pasi në shtëpinë e tij gjetën një arsenal armësh. Ka dyshime se nga banesa e tij ka dalë makina e atentatorëve, megjithatë kjo nuk konfirmohet ende.

Gilmando Dani, i cili mendohet se ishte shënjestra e sulmit, ishte emër i njohur për drejtësinë, pasi njihej si pjesëtar i grupit të Emiljano Shullazit. Nga ana tjetër, rezultoi se Muçi Shaljani ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Për këtë arsye, ka nisur një hetim për të zbuluar se si u rekrutua ai drejt agjencisë që kontrollon punën e policisë. Po ashtu është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i Forcës Operacionale të AMP-së derisa të zbardhen rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights