Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar zinxhirin komandues të Forcës Operacionale, pas ngjarjes së ndodhur të martën në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani, alias Sheqeri, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Në një reagim për mediet, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri të ditur se ka nisur verifikimet në lidhje me procedurat e rekrutimit të punonjësit të saj.
“Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani alias Sheqeri, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura, si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit të tij, prej shtatorit 2025”, thuhet në njoftim.
“Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në komunikimet në vijim do të bëhen të ditura rezultatet e këtyre veprimeve”, përfundon njoftimi.
