Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit informoi sot se ka nisur menjëherë procedurën për shkarkimin nga puna të Erisa Fero, e cila u arrestua nga Policia e Korçës.
“Në vijim të deklaratës së Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, për finalizimin e operacionit “Restart”, me arrestimin e 3 shtetasve, ndër të cilët dhe Erisa Fero, AKSHI njofton se bazuar në legjislacionin shqiptar në fuqi (Kodi i Punës), ka nisur menjëherë procedurën për shkarkimin nga puna të këtij personi”, thuhet në njoftimin për shtyp.
AKSHI informon se Erisa Fero ishte punonjëse pranë sektorit përkatës të e-Albania, në nivelin specialiste.
Po ashtu, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dënon çdo akt të kundraligjshëm dhe siguron se do të jetë gjithmonë mbështetëse në proceset e institucioneve që veprojnë në mbrojtje të ligjit.