Blutë njoftojnë se Ajla Qefalia, Fatbardh Byberi dhe Luis Mija tentuan t’i vidhnin me dhunë portofolin një taksisti dhe i grabitën celularin një shtetaseje.

Njoftimi:
Si rezultat i hetimeve të kryera me objektiv identifikimin dhe arrestimin e autorëve të vjedhjeve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Episodet”, gjatë të cilit u vunë në pranga shtetasit A. Q., 22 vjeçe, F. B., 36 vjeç dhe L. M., 22 vjeç, të tre banues në Tiranë, shtetas me precedentë në fushën e vjedhjeve.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dje, shtetasit A. Q. dhe F. B. kanë tentuar t’i vjedhin me dhunë, portofolin, drejtuesit të taksisë me të cilën lëviznin në rrugën “Selaudin Zorba”. Më pas, dyshohet se i kanë vjedhur celularin, një shtetaseje, në rrugën “Tahsim Shehu”.

Më tej, nga hetimet rezultoi se shtetasja A. Q. ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”. Gjithashtu, dyshohet se 22-vjeçari, ishte me 2 të arrestuarit e tjerë, në taksi, në momentin që kryen tentativën për vjedhje.

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime, me qëllim zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.