Screenshot 2025 10 21 122648 696x399

Kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, i cili mbështetet nga forcat politike të opozitës, Florjan Binaj zhvilloi këtë të martë takimin e parë me koordinatorët e forcave politike që janë rreshtuar në krah të tij.

Pas takimit, Binaj tha për mediet se takime të ngjashme do të zhvillohen në vijim, teksa sqaroi se programi i tij për kryeqytetin është duke u përgatitur në bashkëpunim me një ekip të pavarur.

“Sot u zhvillua takimi i parë me përfaqësuesit, të dërguarit dhe koordinatorët e partive të opozitës. Ishte një takim shumë i frytshëm”, tha ai.

Ai dha një mesazh për qytetarët e Tiranës, duke theksuar se partitë opozitare janë të bashkuara.

“Mesazhi im është që ne jemi të gjithë së bashku dhe unë si kandidat i pavarur, falë mbështetjes së të gjitha partive të opozitës, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të na bashkohen, pa dallim partie, pa dallime të tjera sepse kjo është një çështje që i vlen shumë të gjithë qytetarëve”, u shpreh Binaj.

Për programin e tij për Tiranën, Binaj tha se, “jemi duke punuar me një ekip jopartiak, që brenda një kohe të duhur sepse gjërat për t’u bërë mirë duan kohën e tyre, të dalim dhe të tregojmë këtë program për të gjithë qytetarët”, tha Binaj.

I pyetur nëse ka pasur komunikim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Binaj tha se nuk ka folur me kreun e PD.

“E kam thënë që në daljet në fushatë do jem pa përfaqësimin e kryetarëve, por absolutisht jam i gatshëm të takoj çdo kryetar të partive të opozitës”, tha ai.

Lidhur me shanset që ka për të fituar bashkinë e Tiranës, Binaj tha se, “ky bashkim që po ndodh tani është një tregues i jashtëzakonshëm i asaj që pritet të ndodhë”.

I pyetur sa i pavarur ndihet nga kreu i PD, Sali Berisha, Binaj tha se, “jam kandidat i pavarur, i mbështetur nga të gjitha partitë e opozitës dhe nëse ju e shihni si një lloj varësie fakti që mbështetja vjen, jo vetëm nga PD, po dhe nga partitë e tjera, atëherë jam i varur dhe nga partia Mundësia, dhe nga Nisma Thurje dhe nga Shqipëria Bëhet, nga të gjitha”.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights