Dy shtetas kinezë janë arrestuar nga Policia Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, pasi tentuan të fusin në territorin shqiptar një sasi prej 61 kilogramësh kanabis, e ndarë në dy valixhe dhe në 120 pako.
Raportohet se lënda narkotike, e cila kishte përqindje të lartë të substancës aktive THC, ishte nisur nga Tajlanda, me tranzit në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të mbërritur më pas në Shqipëri.
Autoritetet e huaja sinjalizuan palën shqiptare për dy shtetasit kinezë, të cilët u ndaluan menjëherë sapo mbërritën në Rinas. Pas arrestimit, rasti iu referua sektorit të Antidrogës në Tiranë për hetime të mëtejshme. Droga e sekuestruar ka një vlerë të konsiderueshme në tregun ndërkombëtar, për shkak të përqendrimit të lartë të THC-së.
“Bazuar në informacionet e siguruara nga Njësia e Informacionit për Pasagjerin, Policia Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe me Drejtorinë e Hetimit Doganor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor ‘Quality’.Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit kinezë:-Y. G., 37 vjeç dhe Ch. J., 48 vjeç.Këta shtetas u kapën në flagrancë, në hyrje në Rinas, me 4 valixhe me rreth 61 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, që dyshohet se e kanë trafikuar nga Bangkoku, me qëllim shitjen në Shqipëri. Sasi e kanabisit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Hetimet po vijojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm të trafikut dhe lidhjet e dy të arrestuarve me grupet kriminale.