Gezim topciu1

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Maliqit ditën e djeshme, ku një nënë dhe djali i saj 14-vjeçar humbën jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu banesën e tyre.

Ndërkohë, vajza e mitur e familjes ndodhet në gjendje të rëndë në një spital në Tiranë, duke luftuar për jetën.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, ka reaguar Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu shprehu solidaritetin e institucionit që drejton, me familjen e prekur.

“Është një situatë e vështirë, jo vetëm për ne si institucion, por për të gjithë qytetarët e Maliqit, të cilët janë thellësisht të prekur dhe shprehin ngushëllimet për familjen. Qyteti sot është në zi të plotë”, – u shpreh Topçiu.

Ai siguroi se Bashkia do të qëndrojë pranë familjes në çdo hap dhe do të ofrojë mbështetje të plotë, si në aspektin financiar, ashtu edhe në përkujdesje të tjera.

“Bashkia do të jetë në mbështetje të familjes me të gjitha mundësitë që kemi, për ta ndihmuar financiarisht, por jo vetëm. Do të jemi çdo ditë krah kësaj familjeje”, tha kryebashkiaku.

Topçiu gjithashtu bëri me dije se të gjitha shpenzimet që lidhen me ceremoninë mortore do të mbulohen nga Bashkia, ndërsa paralajmëroi edhe angazhimin e tij personal për të siguruar ndihmë shtesë përmes bizneseve lokale.

“Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me ceremoninë, por jo vetëm, do të mbulohen nga Bashkia. Unë do të ndërmarr disa nisma personale me bizneset sepse aty ndërhyrja është më e shpejtë, për të mos pritur procedurat ligjore që ndonjëherë zgjatin shumë”, sqaroi ai.

Sipas informacioneve të para, familja ishte përfituese e ndihmës sociale dhe shërbimeve të qendrës komunitare të Bashkisë.

“Nga informacionet që kam, familja ka qenë pjesë e shërbimit social dhe e qendrës komunitare që kemi aty. Nuk besoj që nuk kanë përfituar ndihmat e nevojshme, por rasti është fatkeq. Ne kemi raste të shumta të tilla që i trajtojmë dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim”, theksoi Topçiu.

Ai e mbylli reagimin e tij me një apel për reflektim dhe përforcim të masave parandaluese nga institucionet.

“Këto raste nuk janë vetëm një detyrim ligjor, por duhet të jenë kambanë alarmi për të gjitha institucionet. Ky është një rast që do të na japë forcë për të marrë masa më të rrepta e më të gjera për të mbështetur familjet në nevojë”, përfundoi kreu i Bashkisë Maliq.

Dëshmitarja:

Ndërkohë ka dhënë dëshminë e saj për Klan News edhe Xhemile Kapari, dëshmitarja e parë e ngjarjes që gjeti dhe ndihmoi vajzën e vogël 6 vjeçare. Kapari tregon se kishte dëgjuar të qarat e vajzës dhe ndaj kishte nxituar t’i shkonte në ndihmë.

“Unë dola të hidhja plehrat, edhe ajo çupka qante,po qante në oborr. Shkoj atje dhe shoh, ajo dukej sikur ishte futur në kazan, e tëra e nxirë. Thërras komshiun lart dhe i them: Hajde shpejt, shiko çfarë ka ndodhur. Më dridhej trupi, nuk shikoja dot. Kur vajtëm, komshiu tha: Kjo është e djegur! Si ka mundësi, është në mes të oborrit.“, tregon zonja.

Më pas, së bashki me një tjetër komshi kanë hapur derën e banesës duke e shtyrë me këmbë ku kanë gjetur djalin adoleshent pa ndenja.

“Hapëm derën me këmbë. Djali ishte i shtrirë barkas, me këmbë dhe krahë hapur. Thashë: Ka vdekur. Nuk e dinim që edhe nëna ishte brenda, e gjeti policia dhe zjarrfikësja. Vajtëm dhe ngritëm çupkën, ishte një kuvertë atje jashtë dhe e mbështollëm. Asaj i binin flokët dhe kishte plagë nga djegiet. Ata ishin me autizëm, vajza nuk fliste, as nuk ecte, ndërsa djali ecte por nuk fliste. Djali ishte i vdekur që në korridor, ndërsa vajza po qëndronte ulur. Nëna ishte brenda.”, shprehet zonja.

Sipas saj, familja ishte në vështirësi të mëdha ekonomike dhe sikur kjo të mos mjaftonte, nëna e ndjerë përballej edhe me vështirësi të tjera për shkak të sëmundjes së dy fëmijëve: “Kishin vështirësi ekonomike, me dy të sëmurë në shtëpi; kempi 200 mijë lekë nuk u mjaftonte. I ndihmonim dhe i flisnim të ëmës, se ishin dy, një s’e mban dot, jo më dy të sëmurë. Ndihmohej, por me aq lekë sa merrnin, as për bebelina nuk u dilnin. Djalin e çonte në një qendër, ndërsa vajzën jo.”

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights