Një grup prokurorësh e magjistratësh të Republikës së Shqipërisë kanë dërguar sot, 8 tetor, një kërkesë zyrtare drejtuar Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve.
Kjo nismë vjen pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja gjatë ushtrimit të detyrës, një ngjarje që ka tronditur thellë trupën e drejtësisë në vend.
Kërkesa përfshin pika të detajuara:
-Siguria në ambientet e prokurorive dhe kontrolli i hyrjeve
-Kushtet e transportit dhe lëvizjes së prokurorëve, përfshirë nevojën për mbështetje institucionale
-Rishikimi i standardeve të sigurisë sipas praktikave të Bashkimit Evropian dhe udhëzimeve CEPEJ
-Masat konkrete për garantimin e dinjitetit dhe konfidencialitetit në ushtrimin e detyrës
Po ashtu, prokurorët kërkojnë që mbledhja të trajtojë edhe fenomenin e gjuhës së urrejtjes ndaj magjistratëve, e manifestuar nga përfaqësues të politikës dhe mediat, duke e konsideruar atë një rrezik serioz për autoritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Kërkesa mbështetet nga më shumë se 1/10-a e trupës së prokurorëve dhe kërkon që Mbledhja e Përgjithshme të thirret sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të nxirren vendime konkrete për forcimin e sigurisë së magjistratëve në të gjitha nivelet.
Kerkese_Mbledhja_Pergjithshme_Prokuroreve-2