Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një konferencë me gazetarët, ku ai deklaroi se opozita nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, ndërsa komentoi edhe emrat që kanë qarkulluar si kandidatë të mundshëm për Bashkinë e Tiranës.
“Në tre katër vendet me më shumë vdekje në botë nga COVID-i, pikërisht me vjedhjet që iu bënte fondeve për ilaçe. Pra, merr këtë të parën për Edi Ramën, të tjerat vetëkuptohen, është i aftë të bëjë çdo gjë, por ne nuk bojkotojmë.
Edhe unë jam i bindur se akti më i thjeshtë është bojkoti, akti më i vështirë është vazhdimi i betejës. Edi Rama do festonte në rast se do bojkotonim, por ne nuk do ia japim atë kënaqësi atij,” tha Berisha.
I pyetur lidhur me emrat që janë përfolur gjatë ditëve të fundit si kandidatë të mundshëm për zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, si Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkja, Berisha nuk e konfirmoi nëse do ishte ndonjëri prej tyre, megjithatë e la të hapur mundësinë.
“Këto janë emra shumë të mirë, janë personalitete me vlera qytetare dhe morale të pakrahasueshme. PD, siç unë kam shpjeguar këtu para jush, gjatë këtyre kohëve është marrë me modelin, jo me emrat.
Me aleatët tanë ne kemi diskutuar për modelin që do të ndjekim. Do jetë kjo një kandidaturë e PD-së apo nuk do jetë, do jetë një kandidaturë e koalicionit apo nuk do jetë, do jetë një kandidaturë e pavarur jashtë koalicionit, por koalicioni do e mbështesë? Cila është ujdia më e mirë?
Ne kandidaturë kemi, për t’u përballur me kandidaturën e COVID-it, por ne nga gara nuk do tërhiqemi,” tha Berisha, i cili në fund shtoi se Partia Demokratike do kandidojë me garuesin më të mirë.