Kryeministri Rama paralajmëron masa të rrepta për shkeljet në ndërtim dhe përdorimin e territorit, duke përfshirë edhe burgun për zënien e paligjshme të tokës dhe bashkëpunimin me shkeljet. Ai thekson se përgjegjësitë do të jenë të paevitueshme dhe se ndëshkimet më të ashpra do të jenë edhe për punonjësit që heshtin ose bashkëpunojnë me këto shkelje.
“Nga kontrollet e bëra, jo një e dy, më shumë se një e dy, si rezultat i denoncimeve të bëra nga qytetarët tek ai portal ‘Hapësira ime publike’, ka rezultuar se ndërkohë që në territor leja është shkelur rëndë, në aktet e inspektorëve bashkiakë figuron çdo gjë në rregull. Për këtë lloj fenomeni, në çdo rast që konstatohet mosveprim dhe mbyllje e syve, masa është largimi i menjëhershëm nga detyra, ndjekje penale dhe ndalim për të punuar në shtet për një periudhë kohe.
Po nga denoncimet e qytetarëve në portal apo forma të tjera të provueshme do të lidhen drejtpërdrejtë me personat përkatës, asnjë denoncim nuk do të lihet sikur nuk ndodhi. Nëse lihet sikur nuk ndodhi, direkt do të shkohet tek përgjegjësia.
Një tjetër ashpërsim i masave lidhet me mosushtrimin e kontrolleve dhe me një sërë elementësh të tjerë që kanë të bëjnë jo vetëm me shtrembërimin e rezultateve të kontrollit, por edhe me mosrespektimin e afateve, moszbatimin e vendimit të pezullimit të punimeve, mosdhënien e informacionit apo mosparaqitjen e kërkesës së menjëhershme për heqjen e licencës për mbikëqyrësin e punimeve të një ndërtimi që po konstatohen në shkelje.
Ndryshimet në Kodin Penal fillojnë nga zënia e tokës; çfarëdo lloj zënie toke publike apo private, për çfarëdo lloj qëllimi, do të dënohet me burg. Edhe për parkim, nëse bën një parkim të paligjshëm, do shkosh në burg! Pastaj janë nenet e tjera për përsëritjen apo bashkëpunimin, apo kur kjo sjell pasojë që rritet masa e dënimit. Masat e dënimit do jenë përfundimtare kur të shpallet drafti, kështu që s’po i citoj. Kur këto sulme bëhen në zona të mbrojtura, në parqe natyrore, cënojnë monumente kulti e me radhë, dënimi do jetë më i gjatë. Kur shkeljet kryhen nga persona që paguhen nga shteti dhe sidomos kur konstatohet symbyllje apo bashkëpunim nga ata që duhet t’i ruajnë këto territore, atëherë dënimi do jetë më i gjatë!
Dhe ka një sërë nenesh që lidhen pikërisht me personat që punojnë për shtetin”, tha Rama.
