Pas tetë muajsh hetime intensive, Policia e Tiranës ka njoftuar këtë të premte se ka finalizuar në bashkëpunim me Prokurorinë, autoritetet e Kolumbisë, Kroacisë, EUROPOL dhe EUROJUST një operacion ndërkombëtar që goditi një grup kriminal të trafikimit të femrave nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion në Shqipëri.
Në kuadër të këtij operacioni u lëshuan 19 masa sigurie, nëntë prej të cilave në Shqipëri.. Organizatori kryesor i grupit, sipas policisë dyshohet se është shtetasi kolumbian me inicialet L.B.. Ai u arrestua në Kolumbi, ndërsa dy pjesëtarë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 48 shtetase të huaja për ushtrim prostitucioni. Gjatë operacionit, u sekuestruan para, telefona celularë dhe prova të tjera që ndihmuan hetimin.
TË DHËNAT E POLICISË
Hetimet proaktive disa mujore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë çuan në goditjen e një grupi kriminal të përfshirë në trafikimin të qenieve njerëzore nga vendet e Amerikës Latine dhe të Azisë Qendrore me qëllim shfrytëzimin për prostitucion nëpërmjet platformave online ‘eskort’.
Operacioni, i cili u zhvillua në kuadër të procedimit penal nr.846, 2025, u realizua në bashkëpunim të ngushtë me Seksionin e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, EUROPOL dhe EUROJUST u lëshuan 19 masa sigurie, 9 të cilat u ekzekutuara në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi, 3 persona u shpallën në kërkim, ndërsa u proceduan penalisht 48 shtetase të huaja me kombësi të ndryshme.
Hetimet zbuluan se shtetasi L. B., 25 vjeç (i arrestuar në Kolumbi gjatë ditës së operacionit), kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast se ndonjë nga shtetaset refuzonte të vazhdonte këtë veprimtari, mbajtja e vajzave bëhej me anë të forcës dhe kanosjes ndaj tyre e familjarëve në Kolumbi, duke përfshirë edhe persona të afërt.
Ndërkohë, shtetasi D.S., bashkëpunonte ngushtë me shtetasin L.B. në sigurimin e kushteve logjistike për akomodimin dhe menaxhimin e rrjetit. Një nga të arrestuarit, shtetasi K. P., mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e L. B.
Një nga të arrestuarit, shtetasi I. G., kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, në Tiranë, duke e shndërruar në vend për ushtrim prostitucioni nga vajzat e trafikuara. Në këtë hotel shfrytëzoheshin për prostitucion disa shtetase me origjinë nga Kazakistani dhe i strehonin në këtë hotel. Ndërkohë që shtetasi D. B. sigurohej për shpërndarjen e lëndëve narkotike për disa nga vajzat dhe lehtësonte kontaktet me klientët.
Operacioni u mundësua me mbështetjen e Wester Balkans Criminal Justice projekt i Eurojust (WBCrimJust) në bashkëpunim me EMPACT (European Multidisiplinary Platform Against Criminal Threats) dhe EU4FAST (EU Support to Strengthen the Fight against Migrant Smuggling and Traficking in Human Beings in the Western Balkans).