Policia e Tiranës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në zonën e Babrrusë, ku një 40-vjeçar u gjet i pajetë me plagë të shkaktuara nga mjet prerës.
Viktima, H.L., 40 vjeç, u gjet i shtrirë pa shenja jete në rrugë, ndërsa hetimet e para sugjerojnë se ai është goditur me thikë, çka dyshohet të ketë shkaktuar humbjen e jetës.
Në momentin e ndalimit, autori ka qenë në gjendje të dehur, ndaj nuk është marrë ende në pyetje. Pritet që dëshmia e tij të merret në orët në vijim.
Ndërkohë më poshtë janë pamjet nga arrestimi i të dyshuarit si autori i vrasjes.
Në momentin e arrestimit, 38-vjeçarit iu gjet një çantë me veshjet që ka patur gjatë kryerjes së krimit.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e shkakut të vdekjes së shtetasit H. I., 40 vjeç, i cili u gjet mbrëmjen e djeshme, në rrugë, pa shenja jete dhe me plagë të shkaktuara me mjet prerës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimi i autorit të dyshuar.
Pas identifikimit, u bë lokalizimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. D., 38 vjeç, i cili u kap në Durrës dhe u vu në pranga, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSh.“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas informacioneve pas ngjarjes së rëndë, autori është larguar nga vendi i krimit dhe është ndalur në një lokal rreth 300 metra larg, ku është parë nga banorët me njolla gjaku në trup dhe rroba.
Ai ka konsumuar pije alkoolike për disa minuta, më pas është larguar, duke tentuar të humbasë gjurmët.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se viktima dhe autori kishin qenë të shoqëruar me njëri-tjetrin edhe më herët gjatë ditëve të fundit dhe shpesh konsumonin alkool sëbashku