3d5c918f 4b5a 470a b722 4e780909e25b.jpg

Numri i të vdekurve nga tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.9 që goditi Filipinet është rritur në 69, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Zyra e Mbrojtjes Civile në Manila.

Zëvendësadministratori Bernardo Alejandro tha se 30 viktima janë raportuar në qytetin Bogo, më i afërti me epiqendrën e tërmetit që ndodhi të martën në mbrëmje. Vdekjet e tjera janë regjistruar në San Remigio (22), Medellin (10), Tubogon (5) dhe nga një në Sogod dhe Tabuelan. Autoritetet filipineze theksojnë se këto shifra janë paraprake dhe mund të ndryshojnë pas verifikimeve të mëtejshme.

Ndërkohë, nuk është ende e qartë se sa persona konsiderohen të zhdukur. Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të punojnë në rrënojat e ndërtesave të shembura, duke shfrytëzuar dritaren kritike 24-orëshe për të gjetur të mbijetuar.

Siç shkruan BBC, tërmeti u ndje fuqishëm në pjesë të mëdha të provincës Cebu, përfshirë kryeqytetin provincial me të njëjtin emër, që ndodhet rreth 2–3 orë larg epiqendrës. Që nga tërmeti, janë regjistruar më shumë se 611 pasgoditje, sipas Agjencisë Shtetërore të Vullkanologjisë.

Mijëra banorë në veri të Cebu-s e kaluan natën jashtë, të frikësuar nga lëkundjet e njëpasnjëshme. Disa nga ata folën për BBC-në, duke thënë se ndiheshin si në një makth, ndërsa muret e shtëpive lëkundeshin gjatë tërmetit. Pamjet nga mediat lokale tregojnë njerëz që përqafojnë njëri-tjetrin në panik.

Gjendje katastrofe dhe thirrje për ndihmë mjekësore

Qeveria provinciale e Cebu-s ka shpallur gjendje katastrofe në zonat më të goditura dhe ka bërë thirrje për vullnetarë me përvojë mjekësore për të ndihmuar në trajtimin e të plagosurve. Spitalet janë tejmbushur, dhe shumë pacientë po trajtohen jashtë ambienteve spitalore për shkak të frikës nga shembjet e mundshme.

Rrugët e dëmtuara, urat e rrënuara dhe mungesa e energjisë elektrike po e vështirësojnë më tej ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës.

Shtatë nga viktimat ishin banorë të një fshati të ndërtuar për të strehuar të mbijetuarit e tajfunit Haiyan, që në vitin 2013 vrau më shumë se 6 mijë persona në Filipine.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr publikoi një deklaratë në orët e para të mëngjesit duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet lokale.

“Zemra ime është me familjet që kanë humbur të dashurit e tyre. Lutjet e mia janë me të plagosurit dhe të gjithë ata që janë prekur nga tërmeti,” tha Marcos. Ai konfirmoi gjithashtu se po punohet për rikthimin e energjisë elektrike dhe se personel shtesë po dërgohet në spitalet vendore.

Filipinet ndodhen në të ashtuquajturin “Unaza e Zjarrit” të Oqeanit Paqësor, një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe vullkanik. Përveç tërmeteve, vendi ndodhet edhe në rrugën e tajfuneve që godasin çdo vit, duke e bërë një nga vendet më të rrezikuara në botë për katastrofa natyrore.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights