Image 6

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se situata e sigurisë në Evropë është në rrezik dhe situata do të bëhet akoma më serioze, duke theksuar se shfaqjet e fundit të dronëve në hapësirën ajrore daneze janë “vetëm fillimi”.

Në dy intervista të rëndësishme, njëra për gazetën daneze Berlingske dhe tjetra për Financial Times, Frederiksen u bëri thirrje vendeve evropiane që të analizojnë më thellësisht situatën e re të sigurisë dhe të përcaktojnë mënyrat se si duhet të reagojnë përballë kërcënimeve në rritje.

Ajo e krahasoi situatën aktuale me periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, duke e quajtur këtë një moment të ngjashëm për Evropën, e cila po përballet me pasoja të drejtpërdrejta të luftës në Ukrainë dhe me një luftë hibride më të gjerë që po zhvillohet ndaj saj.

“Ideja e një lufte hibride është të na kërcënojë, të na përçajë, të na destabilizojë. Një ditë përdoren dronë, ditën tjetër sulme kibernetike, e më pas akte sabotimi. Kjo nuk do të ndalet vetëm me forcimin e kapaciteteve tona”, u shpreh ajo për Financial Times.

Deklaratat e Frederiksen vijnë në prag të një takimi joformal të Këshillit Evropian që po mbahet në Kopenhagë, i cili fokusohet kryesisht në çështjet e sigurisë dhe në mbështetjen për Ukrainën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, pritet të marrë pjesë në takim përmes lidhjes video. Nesër do të zhvillohet edhe një takim më i gjerë i Komunitetit Politik Evropian.

Takimet po zhvillohen nën hijen e incidenteve të fundit me dronë, që kanë shkaktuar shqetësim dhe ndërprerje të ndjeshme jo vetëm në Danimarkë, por edhe në vendet nordike në përgjithësi. Në mbështetje të Danimarkës janë ofruar disa shtete, përfshirë Francën, Gjermaninë, Poloninë, Suedinë, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën dhe SHBA-në, për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe sigurinë e pjesëmarrësve.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights