Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur betejën ligjore për të kundërshtuar vendimin e shkarkimit të tij nga detyra. Ai ka depozituar ankim në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar rishikimin e vendimit që e largoi nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj argumenton se shkarkimi është i paarsyeshëm dhe se nuk ekziston asnjë shkelje e rëndë të provuar që të justifikojë masën ekstreme të largimit nga detyra. Në kërkesën e tij, ai thekson se vendimi është marrë pa respektuar plotësisht të drejtat dhe procedurat ligjore, duke cenuar në mënyrë të padrejtë funksionimin e institucionit të Bashkisë.
Në ankimin e Veliajt thuhet se se Neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të zëvendësojë Nenin 115 të Kushtetutës, por duhet interpretuar gjithmonë në përputhje me të pasi çdo vendim i marrë pa shkelje të provuar, sipas tij bie ndesh me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese hedh shortin çdo dy javë, përgjithësisht të premten. Sipas rregullit pasi hidhet shorti, çështja shkon në dhomë këshillimi nga 3 gjyqtarët që bëjnë verifikimin paraprak, nëse padia i plotëson apo jo kushtet ligjore. Si rregull kushtetuesja duhet ta marrë në shqyritim padinë brenda dy muajve. Nuk dihet nëse ka short këtë të premte, megjithatë çështja mund të trajtohet me përparësi.
Në një përditësim të dytë, gazetarja Klesiana Omeri në një lidhje të drejtpërdrejtë për Klan News bëri me dije se vendimi për shkarkimin e Erion Veliajt është në pritje, derisa Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë çështjen. Sipas saj, Gjykata ka afat deri në 4 muaj për të dhënë një përgjigje, vetëm nëse kërkohet shqyrtim i menjëhershëm.
Ndërkohë, Këshilli i Ministrave nuk ka dërguar ende vakancat në Presidencë, ndërsa pritet që lëvizja e tyre të bëhet pas ankimimit të Veliajt në Gjykatë Kushtetuese.
Brenda 48 orëve të dekretojë datën e zgjedhjeve, nëse vendimi i Këshillit të Ministrave arrin në Presidencë. Megjithatë, ekziston mundësia që vakanca të mos dërgohet menjëherë, duke pritur afatin maksimal të shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
Shkarkimi i Veliajt u bë më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave, me argumentin se ai nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi i tij më 10 shkurt. Megjithatë, ish-kryebashkiaku ka mbajtur qëndrim të fortë se kjo masë ishte e padrejtë dhe se do të luftojë për drejtësinë në instancat më të larta.
Sipas procedurës, pas vendimit të Këshillit të Ministrave, Veliaj kishte afat 15 ditë për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, gjë që ai e ka bërë duke shprehur besimin se kjo gjykatë do të rivlerësojë në mënyrë të drejtë dhe ligjore çështjen e shkarkimit.
Në pritje të vendimit të Kushtetueses, situata në Bashkinë e Tiranës mbetet në një fazë të paqartë, pasi pa e zgjidhur gjykata këtë ngërç, Tirana mbetet pa një kryebashkiak në detyrë dhe pa zgjedhje.