Pesë vite pas vrasjes së Klevis Lleshit në Burrel, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur ngjarjen dhe ka firmosur këtë të premte, më 26 shtator, katër urdhërarreste. Por deri më tani vetëm një prej tyre është zbatuar.
Klevis Lleshi u rrëmbye dhe më pas u varros në datën 5 gusht të vitit 2020. Sipas hetimeve të SPAK-ut, dyshimet janë se personi që urdhëroi rrëmbimin dhe vrasjen e të riut është A.H dhe motivet lidhen me hakmarrjen. Raportohet se ngjarja është zbardhur nga komunikimet në aplikacionin e mesazheve “Sky ECC”.
Mbi katër të dyshuarit rëndon akuza e vrasjes për gjakmarrje e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe grup i strukturuar kriminal.
“Sipas Policisë dhe të Prokurorisë, ngjarja dyshohet se është porositur nga A.H. Megjithatë pritet të zbulohet nga autoritetet se si do të rezultojë. Ngjarja lidhet me vrasje të tjera dhe një sagë hakmarrjesh që ka ndodhur mes familjes Hoxha dhe LLeshi. Saga e hakmarrjes ka nisur në vitin 2012 në Britaninë e madhe, aty ku është vrarë vëllai i A.H-së, pra pronari i lokalit që ndodhet pas meje. Ai është vrarë në Britaninë e Madhe pikërisht nga Arben Lleshi. Arben Lleshi është kushëri me Klevis Lleshin. Arben Lleshi u ekzekutua në vitin 2023 në Burgun e Peqinit, i cili dyshohet se u vra me porosi nga familja Hoxha.”
I dyshuari A.H është pronar i një lokali në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë, ku policia ka ushtruar kontrolle sot herët në mëngjes. Kontrolle po zhvillohen aktualisht edhe në zona të tjera të Tiranës, si në zonën e Freskut dhe në Kamëz.
Klevis Lleshi është i afërm i Arben Lleshit, i vrarë në burgun e Peqinit në mesin e dhjetorit të vitit 2023. Arben Lleshi u ekstradua nga Britania e Madhe në maj të vitit 2016, pasi rezultonte i dënuar me 32 vite burg për vrasje, nga një gjykatë në Britani. Ai ishte dënuar për vrasjen e Agim Hoxhës, në 10 prill 2012.
Mediat britanike shkruanin atëherë se Hoxha u vra në një apartament në qytetin anglez të Southempton, dhe më pas, trupi i tij u dogj në një makinë tip “Mercedes Benz”.