Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) mbetet një partner strategjik për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Qeverinë e Shqipërisë, në rrugën për një bujqësi të qëndrueshme dhe një sistem të qëndrueshëm ushqimor.

Kështu deklaroi ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në pritjen që organizoi Presidenti i Republikës Bajram Begaj për drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Qu Dongyu.

Mnistrja Krifca u shpreh optimiste për një bashkëpunim më intensiv në të ardhmen e afërt me FAO-n, teksa vuri në dukje se “edhe pse një vend i vogël, do të donim ta shihnim Shqipërinë më të pranishme në radhët e stafit dhe ekspertëve të FAO-s”.

Ministrja publikoi në rrjete sociale, disa foto nga ky takim, teksa shkroi, “në një bisedë të ngrohtë dhe konstruktive me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Qu Dongyu, ku u shpreh dhe një herë angazhimi për një bashkëpunim të shkëlqyer mes institucioneve tona për të avancuar agjendën e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë”.

“Shqipëria jone e dashur rurale, e bekuar me tokë të mrekullueshme e me biodiversitet të lartë, do të mbështetet më tej nga FAO për zgjerimin e tregjeve dhe rritjes së eksporteve bujqësore shqiptare”, u shpreh Krifca.

Sipas saj, zhvillimet e vitit të kaluar, por edhe faktorë të tjerë më konstantë, e kanë sjellë edhe një herë sigurinë ushqimore në krye të agjendave. “Për këtë qëllim, ne synojmë të zhvillojmë një plan 10-vjeçar të sigurisë ushqimore për të përmirësuar indeksin e sigurisë ushqimore në vend dhe do të vlerësonim mbështetjen e FAO-s. Sistemet bujqësore dhe ushqimore në të gjithë globin po ristrukturohen plotësisht pas goditjeve të fundit të tregut ndërkombëtar dhe goditjeve mjedisore. Në rastin shqiptar duhet të merremi me çështje tradicionale të sigurisë ushqimore”, tha ministrja.

“Siguria ushqimore mbetet një gur themeli i politikës sonë kombëtare, një kusht i detyrueshëm i procesit të integrimit në BE dhe një faktor i rëndësishëm për zgjerimin e eksporteve bujqësore dhe ushqimore si një nga objektivat kryesore të politikës sonë kombëtare”, deklaroi Ministrja Krifca.

Ministrja u ndal edhe në çështjen e konsolidimit të tokës që mbetet një komponent kyç i bujqësisë aktuale shqiptare.

“Vijmë nga një histori defragmentimi e tokës, pas vitit 1990. Mbetet një nga sfidat tona më të mëdha, në përmirësimin e prodhimit dhe eksporteve kombëtare për të arritur objektivin prej 1 miliard dollarësh eksporte për vitin 2030. Ne po mbështesim fermat që kanë trashëguar sfida strukturore me politika publike që synojnë mbështetjen e bashkëpunimit të fermerëve në procesin e marketingut të produkteve bujqësore”, tha ajo.

Nga ana e tij, drejtori i Përgjithshëm të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, Qu Dongyu, shprehu gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e bujqësisë.

“Ishte nder të takoja Presidentin e Republikës së Shqipërisë. E falënderova për mbështetjen dhe presim të forcojmë më tej bashkëpunimin tonë për të ndihmuar në arritjen e transformimit të sistemeve agroushqimore”, tha ai.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights