Peleshiii 1024x683

Teksa opozita ka paralajmëruar kërkesën për shkarkimin e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka thirrur sot, 22 shtator, krerët e grupeve parlamentare lidhur me plotësimin e komisioneve.

Raportohet se ka përfunduar mbledhja e Partisë Socialiste dhe po ashtu mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.

Vendimi për të kompletuar strukturën e re të komisioneve në Kuvend pritet të shkaktojë tensione me Partinë Demokratike, e cila nuk e njeh këtë organizim.

Edhe pse PD ka zgjedhur kryetarët e komisioneve, ajo nuk i ka depozituar zyrtarisht në Kuvend, duke lënë çështjen të hapur dhe duke paralajmëruar debate të mëtejshme.

Demokratët kanë njoftuar se gjatë Konferencës së Kryetarëve do të dorëzojnë kërkesën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me pretendimin se ai ka shkelur Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.

Në seancën e fundit plenare u miratuan vetëm komisionet e drejtuara nga socialistët, vendim që opozita e ka cilësuar të paligjshëm dhe ka paralajmëruar ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë klimë politike të tensionuar, kjo nisje jave pritet të shoqërohet me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, me kryeparlamentarin Peleshi në qendër të debatit.

Ndërkohë, demokrati Agron Gjekmarkaj ka ndarë letrën drejtuar Peleshit, ku thekson rëndësinë e aksesit të lirë të mediave në Kuvend:

Kundër çdo kufizimi të aksesit të gazetarëve në Kuvend. Transparenca dhe llogaridhënia janë themeli i demokracisë. PD mbështet fuqimisht gazetarinë e lirë dhe vlerëson kontributin e saj kyç në demokracinë e vendit. Çdo propozim për të kufizuar aksesin e gazetarëve në sallën plenare dhe në oborrin e Kuvendit është një goditje ndaj transparencës dhe llogaridhënies publike.

Gazetarët duhet të kenë të drejtë të regjistrojnë, të lëvizin lirshëm dhe të kontaktojnë përfaqësuesit për t’i informuar qytetarët në mënyrë të drejtë dhe të plotë. I bëjmë thirrje Z. Niko Peleshi dhe grupit të tij parlamentarë: tërhiqni çdo plan që cenon aksesin e medias. Demokracia mbijeton vetëm me informim të lirë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights