Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka uruar Kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e ri për marrjen e detyrës për 4 vitet e ardhshme.
Në një postim në faqen zyrtare, përfaqësuesit e BE-së theksojnë rëndësinë e përpjekjeve të qëndrueshme për miratimin dhe zbatimin e reformave përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse. Kësisoj, sipas BE, anëtarësimi i vendit tonë në familjen e madhe europiane është i mundur deri në fund të vitit 2027.
“Me këtë angazhim, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027. Presim të punojmë me të gjithë aktorët shqiptarë për të arritur këtë moment historik në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, shkruhet në mesazhin e delegacionit.
Kujtojmë se Rama dhe ministrat e rinj u betuan para Presidentit Bajram Begaj, më 12 shtator
Përbërja e qeverisë së re
Belinda Balluku – Zv/Kryeministre dhe ministre e Energjisë e Infrastrukturës
Albana Koçiu – Ministre e Punëve të Brendshme
Elisa Spiropali – Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
Petrit Malaj – Ministër i Financave
Blendi Gonxhja – Ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sportit
Sofjan Jaupaj – Ministër i Mjedisit
Mirela Kumbaro – Ministre e Arsimit
Evis Sala – Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Delina Ibrahimaj – Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
Diella – Anëtare jo fizike e krijuar nga Inteligjenca Artificiale (Prokurime Publike)
Besfort Lamallari – Ministër i Drejtësisë
Pirro Vengu – Ministër i Mbrojtjes
Andis Salla – Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ervin Demo – Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
Majlinda Dhuka – Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore
Adea Pirdeni – Ministre e Shtetit për Antikorrupsion
Toni Gogu – Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Në katër vitet e ardhshme, Partia Socialiste do të përfaqësohet me 83 deputetë, Partia Demokratike me 50. Partia Socialdemokrate do të ketë tre mandate, Mundësia dy, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet nga një mandat.
Kuvendi do të drejtohet nga Niko Peleshi, ndërsa janë emëruar plot 17 ministra dhe ministre, një prej të cilave është Diella, e cila do ketë në dorë Prokurimet Publike. Ajo është gjithashtu ministrja e parë virtuale në botë, detaj që ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.
Kryefjala e programit qeverisës, siç e ka theksuar herë pas here kryeministri, është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda vitit 2027, që edhe vetë Bashkimi Evropian e sheh si “ambicie të arritshme”.
