Sot, 22 shtator, është lançuar platforma Startup Albania, një hap i ri në mbështetje të sipërmarrjes së re, ideve inovative dhe kreativitetit të rinjve.
Startup Albania është ura që lidh talentin me mbështetjen, idetë me investimin dhe Shqipërinë me ekonominë digjitale europiane si dhe një hap i rëndësishëm në rrugëtimin drejt integrimit europian, duke pozicionuar vendin tonë si pjesë të ekonomisë konkurruese të Bashkimit Europian.
Ibrahimaj: Startup-et janë dyfishuar
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se në vitet e fundit numri i startup-eve në vend është dyfishuar dhe se Shqipëria kryeson për gratë e përfshira në këtë fushë.
“Do kemi edhe një modul për trajnime që do jetë i akesueshëm nga gjithkush. Startup-et, korporatat dhe qeveria do bëhen bashkë, për ta zhvilluar sa më shumë sektorin e inovacionit”, tha Ibrahimaj.
Do krijohet Këshilli Kombëtar i Inovacionit
Ndërsa kryeministri Edi Rama, tha se kjo platformë i shërben transparencës dhe konkurrencës për grantet e qeverisë.
“Është një pjesë e vogël e mozaikut të plotë që po sjellim sëbashku dhe një nga gjërat që ne do të materializojmë shumë shpejt është ajo që kemi pritur prej kohësh, në praktikë do të jetë aktori kryesor për të gjitha palët e interesit, për të ndarë ide, shqetësime dhe për të propozuar zgjidhje”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë nuk la pa përmendur Diellën, ministren e parë virtuale.
“Do ndihmojë për nxitjen dhe shpërndarjen e të gjithë rrjetit të qeverisë dhe fuqisë së Inteligjencës Artificiale.”
Njoftoi se shumë shpejt do krijohet Këshilli Kombëtar i Inovacionit.
Për të shmangur burokracinë, si një problem global, tha se kjo platformë do ofrojë transparencë të plotë.
“Duke nisur nga lejet e punës, leje të rezidencës, apo lloje të ndryshme dokumentacionesh për brenda dhe jashtë vendit”, deklaroi Rama.
“Të mbështesim transformimin e çdo ministrie, agjencie në një praktikë të orientuar nga AI”, theksoi numri një i kabinetit.
Rama: Mbase realizojmë edhe martesat online

Nuk munguan batutat në këtë prezantim…
“Ju nuk jeni një vend normal, ai nuk është një kryeministër normal dhe kjo është një gjë shumë e mirë në fakt sepse nuk keni kufizime!”, kështu iu drejtua Ramës profesori amerikan William P. Barnet.
“S’ke pse të lëvizësh fare nga vendi për të marrë 95% të dokumenteve që ju duhen, ende nuk e kemi zgjidhur pjesën e martesave online, por mbase mund ta bëjmë”, tha Rama.
Barnet e pyeti: Po divorcet mund t’i bëni?
“Janë më të thjeshta, se unë kam pasur disa. Por martesa është më e vështirë si proces”, u përgjigj kryeministri.
Rama & Diella
Duket se Rama do e ketë Diellën “prezente” në çdo takim e fjalim që do mbajë, që pas prezantimit të saj të bujshëm. Edhe sot, ai tha se pavarësisht se sa shumë ministra ka emëruar deri më sot, Diella vodhi vëmendjen më të madhe mediatike ndërkombëtare.
Profesori Barnet e gjeti një batutë edhe në këtë moment.
“Hajde kandidoni për President në Shtetet e Bashkuara, dhe ministrja juaj të kandidojë për kryeministre!”
“E di që e kemi vjedhur vëmendjen mediatike, por do bëhen disa ministra me Inteligjencë Artificiale në botë. Është presioni që shkakton te njerëzit për të bërë me shpejtësi procesin dhe për të sjellë rezultate. Këtë nuk e kam shpikur unë, qielli është limiti! Në pranverën e ardhshme mund ta kemi edhe këtu, t’i bëjmë edhe pyetje”, ishte përgjigja e Ramës.
