Abdi Baleta, një nga figurat e para të pluralizmit politik në Shqipëri dhe ish-diplomat i karrierës, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka dhënë vajza, Linda Beleta, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Me pikëllim njoftojmë se sot u nda nga jeta bashkëshorti dhe babai ynë, Abdi Baleta. Për shumëkënd ishte diplomat, gjykatës, politikan, zë i fuqishëm për kombin. Për ne ishte burrë i thjeshtë e i drejtë, bashkëshort, baba e gjysh që na mësoi me shembullin e tij. Dëlirësia dhe dinjiteti dhe forca e karakterit ishin tiparet e tij. Ai besonte tek nderi, tek dashuria për familjen e për vendin. Ia kthejmë sot Zotit jetën e tij, me falënderim për të gjitha që na dha, si dhe trashëgiminë që ka lënë pas. Qoftë kujtimi i tij i bekuar për të gjithë ne që e deshëm. Pastë dritë shpirti yt, babi! Varrimi bëhet të shtunën, data 20. 09. 2025. Nisja nga shtëpia funerale Alba 2000, Rruga e Durrësit, në orën 12:00. Varrimi bëhet në Tufinë. Vizitat i presim në shtëpinë funerale Alba 2000, Rruga e Durrësit, të dielën, të martën, të mërkurën, të enjten dhe të premten, nga ora 10:00 – 13:00 dhe 17:00 – 20:00. Bashkëshortja Flutura, vajzat Teuta dhe Lindita, dhëndrri Përparimi, mbesa Anda dhe nipi Agzimi”, njofton vajza.
I lindur në vitin 1941 në fshatin Gur i Bardh të Matit, Baleta u formua në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Moskë dhe më pas përfundoi studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1964.

Karriera e tij e gjatë në shërbim të shtetit përfshiu pozita të rëndësishme në diplomaci dhe drejtësi. Deri në vitin 1983, ai shërbeu si drejtor dhe përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në New York. Më pas, ai mori detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Rrethit në Pogradec (1983-1987) dhe kontribuoi në arsimin juridik si pedagog i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin e Drejtësisë (1987-1995).
Me hapjen e pluralizmit politik, Baleta ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe shërbeu si deputet në Kuvendin e Shqipërisë nga viti 1991 deri në 1996. Në vitin 1994 ai u largua nga PD dhe krijoi një formacion të ri politik me emrin “Rimëkëmbja Kombëtare”, duke vijuar angazhimin e tij publik në çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Abdi Baleta do të kujtohet si një zë i angazhuar për të drejtat kombëtare dhe përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
