Edi rama 4 1024x579

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të shtunë, më 20 shtator, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala.

“Sot, duhet t’iu prezantoj zyrtarisht me shefen e re të Ministrisë së Shëndetësisë, profesoren Evis Sala.  Jam i bindur që shumëkush edhe në këtë takim e njeh, si një studente të dikurshme me shkëlqim në Fakultetin e Mjekësisë që prej thuajse 30 vjetësh ka zhvilluar një karrierë ndër më mbresëlënëset ndër shqiptarët në Europë apo në botë.  Ajo ka spikatur si akademike, si mjeke dhe si drejtuese në disa prej universiteteve dhe qendrave më të njohura spitalore të botës.”, tha Rama.

Më tej kryeministri nisi të përmendte detaje nga karriera e gjatë e ministres Sala, në fushën e shëndetësisë, duke nisur nga Shqipëria e deri në Nju Jork në SHBA.

“Ka punuar në Qendrën Spitalore për Kancerin, ‘Memorial Sloan Kettering’ në Nju Jork, ku ka mbajtur pozicionin e profesoreshës dhe shefes së Radiologjisë Abdominale.  Ka thelluar studimet në universitetin e Kembrixhit, ku ka punuar si profesor i Imazherisë Onkologjike, ka mbrojtur doktoraturën dhe kryer specializimin e lartë në radiologji. Dhe përpara se të vinte në Shqipëri këto ditë për të marrë këtë detyrë të re, drejtonte prej disa vitesh departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radiologjisë në Poliklinikën Universitare ‘Gemelli’ dhe njëkohësisht jepte mësim në Universitetin Katolik të ‘Zemrës Shenjtë’ në Romë.  Profesore Sala ka marrë pjesë në grupe kërkimore shkencore me financime nga agjencitë më të njohura europiane dhe amerikane, ka publikuar mbi 300 artikuj shkencorë, mbajtur mbi 500 kumtesa dhe ligjërata në forume akademike ndërkombëtare. Ndërkohë që, bën pjesë në bordet e disa shoqatave të mirënjohura europiane dhe jo vetëm të radiologjisë.”, tha ai.

Rama shtoi se po ashtu, ministrja e re e shëndetësisë është vlerësuar me çmime dhe vlerësime prestigjioze ndërkombëtare, ku veçoi pranimin e saj në Tokio, si e para grua anëtare në historinë e të famshmes ‘Japanese Radiological Society’.

Do hapim universitet të ri në Fier, bashkëpunime me IA për shëndetësinë

Gjatë fjalës së tij, Rama dha lajmin se po planifikon që të lidhi partneritet me një ndër kompanitë më të njohura në fushën e Inteligjencës Artificiale (IA), në shërbim të shëndetësisë. Ndërsa shtoi se do hapej dhe një universitet i ri në Fier, pranë spitalit rajonal.

“Në mandatin tonë të parë ne mbyllëm gropat e thella të borxheve në sistemin tonë shëndetësor, në dy mandatet e tjera investuam për ta transformuar. Në mandatin e tretë rritëm në mënyrë të konsiderueshme pagat e mjekëve dhe infermierëve duke i vendosur në një nivel të përafërt me rajonin.

Në mandatin e katërt duhet të hyjmë më thellë në përmbajtjen e transformimit sa i përket asaj që duhet që shëndetësia t’u ofrojë qyettarëve përtej infrastrukturës së transformuar dhe përtej asaj që i detyrohemi mjekëveve e infermierëve në detyrën e tyre.

Janë dy shtylla të rëndësishme që do merremi, krijimi i mëtejshëm dhe zgjerimi i aleancave me ekselencat ndërkombëtare dhe futja e IA-së në sistemin shëndetësor. Në aspektin e parë, kemi hapur një trase dhe kemi firmosur një marrëveshje me një nga ekselencat italiane dhe evropiane, qoftë për administrimin e QSUT-së, qoftë dhe për Universitetit dhe duam të krijojë një sinergji midis universitetit Vita e Salute dhe Universitetin tonë të Mjekësisë.

Kemi nisur një bashkëpunim midis spitalit onkologjik dhe spitalit izraeit ‘Shiba’. Duam të hapim një universitet mjekësor në Fier, pranë spitalit Memorial. duam të shkojmë më tutje edhe me ndërtimin e një spitali ekselence si pikë referimi i turizmit shëndetësor dhe që të jetë në gjendje të përballojë kërkesat shumë të larta gjatë sezonit veror dhe jemi në diskutime për të lidhur një partneritet strategjik me një ndër kompanitë më të mirënjohura në fushën e IA-së, në shërbim të shëndetësisë, i vetmi unicorn që deri tani ka Mbretëria e Bashkuar.”, tha Rama.

QSUT mund të jetë ndër 500 spitalet më të mira në botë

Kryeministri Edi Rama deklaroi se objektivi i qeverisë është të mos vendosë asnjë kufi për ambicien në sistemin shëndetësor, duke synuar jo vetëm rikthimin e mjekëve shqiptarë nga jashtë, por edhe tërheqjen e mjekëve të huaj për të punuar në Shqipëri.

“Kështu që nuk duhet të vendosim asnjë limit në ambicie dhe duhet ta shohim si të natyrshme që këtu të tërheqim, jo vetëm mjekë shqiptarë që janë jashtë, por edhe mjekë të huaj për të punuar bashkë me ju.  Dhe këto sinergji që po krijojmë, këto aleanca që do krijojmë, patjetër që ndihmojnë shumë edhe në këtë drejtim, kështu që besoj që jemi në momentin e duhur për të rienergjizuar të gjithë së bashku veten dhe për ta parë çdo gjë si një fillim të ri, sepse kjo infrastrukturë që siç tha ministrja, nuk ka ça t’i ketë zili fare, as spitaleve më në zë, është për momentin mure, pajisje dhe hapësira.”, tha Rama.

Ai shtoi se sfida është pse jo, QSUT të jetë një ndër 500 spitalet më të mira në botë.

“Dhe sfida është, që edhe shërbimi brenda të jetë i të njëjtit nivel. Natyrisht që ne nuk mund të pretendojmë tek 100 spitalet më të mirë të botës, për 1001 arsye, por nuk kemi pse QSUT të mos e kemi në 500 spitalet më të mira të botë. Nuk ka asnjë arsye pse jo. Dhe në këtë aspekt, nuk është profesionalizmi problemi ynë kryesor, është integriteti i të gjithë trupës dhe kapaciteti i trupës për të prodhuar sukses, duke bashkuar të gjitha kontributet, që është diçka krejt tjetër nga çfarë bën secili individualisht.  Ju falenderoj dhe një herë dhe duke qenë se jeni një komunitet i njohur për naze, është diçka që ju ma keni mësuar që jeni ‘nazeli’ dhe ‘tekanjozë’ të mëdhenj, edhe për shkak të stresit besoj, nuk ma ha mendja tani se keni ndonjë naze të mundshme për të bërë për ministren që është njësoj si ta keni nxjerrë vetë. Kjo mund të jetë shumë e mirë, po kjo mund të jetë dhe shumë, shumë ‘e rrezikshme’ sepse siç dhe ju e dini, ‘’s’ka profet në fshatin e vet’’, kështu që Evisi është kthyer në ‘’fshat’’, në ‘’fshatin’’ e vet ekzaktësisht, me gjithë ‘’fshatarët dhe bashkëfshatarët’’ që ka këtu në këtë territor.  Uroj që as mos t’ju ‘’hajë’’ e as mos ta ‘’hani’’, po së bashku bëni që shërbimi shëndetësor të njohë tek kjo qendër, një xhevahir të kurorës në të gjitha kuptimet e fjalës”, e përfundoi kryeministri fjalën e tij.

Kujtojmë se një ditë më parë, të 16 anëtarët e rinj të kabinetit qeveritar bënë betimin në Presidencë, para presidentit Bajram Begaj.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights