Forca e Posaçme Operacionale dhe RENEA kanë arrestuar dy vëllezërit K.B dhe A.B, të shpallur në kërkim për vrasjen e Renis Dobrës.
“Gjatë 24 orëve të fundit, finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, një tjetër operacion për kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar. Operacioni policor i koduar “Operacionalja 68”, u zhvillua në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA. Kapen në Tiranë dhe vihen në pranga 2 vëllezërit e njërit prej autorëve të vrasjes nëpërmjet strangulimit, të shtetasit R. D., më datë 08.07.2025, në Burrel.
Të arrestuarit, të dyshuar si bashkëpunëtorë për rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R. D. Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh siguruan informacion për vendndodhjen e 2 vëllezërve të shpallur në kërkim”, thotë Policia.
Mësohet se vëllezërit janë arrestuar në një apartament në Tiranë.
Ata ishin shpallur në kërkim bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se dy të ndaluarit, në bashkëpunim me vëllanë e tyre, shtetasin F. B., dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng 23 vjeçarin, trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.
Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e 9 korrikut 2025 nga ana e policisë.
Kujtojmë se, pavarësisht pretendimeve të dy të arrestuarve, policia dhe prokuroria e Dibrës janë thuajse të bindura se Petrit Çakraj, Fatjon Bushgjoka dhe dy vëllezërit e tyre, Kristi dhe Aleksandër, të shpallur në kërkim, janë autorët e ngjarjes.
Dyshimi i hetuesve mbështetet në pamjet filmike që tregojnë katër autorët në qytetin e Burrelit, si dhe në verifikimet e automjeteve të përdorura gjatë krimit.
Renis Dobra ishte kthyer së fundi nga Gjermania, ku ishte deportuar pas arrestimit si pjesë e një grupi kriminal që shpërndante drogë. Pikërisht nga ky aktivitet policia dyshon se viktima kishte pasur konflikte me katër autorët.
