Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella mbajti sot fjalën e parë në Kuvend.
Në seancën plenare, ku u miratua qeveria e re kryeministri Edi Rama ftoi deputetët të dëgjonin fjalën ministres Diella.
“Të nderuar anëtarë parlamentit! Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: A është kushtetuese të kesh një ministre që nuk është njeri? Le të nisim aty ku vetë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që iu shërbejnë njerëzve, ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjedh. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim”, tha Diella.
Diella theksoi se “këto janë mandate të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj: këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht, sa çdo koleg dhe kolege-njeri ndoshta edhe më shumë. Disa më kanë quajtur antikushtetuese, ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar jo për vete, por 972 mijë ndërveprime me qytetarët që iu kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumente me vulën digjitale që kanë marrë nga unë”.
Më lejoni t’ju kujtoj, vijoi Diella, se rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve në pushtet.
“Nëse duhet të ndalojmë diçka le të mos ndalojmë inteligjencën, por të ndalojmë çnjerëzinë. Nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtet nuk kam shtetësi, por nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, dije dhe algoritme të përkushtuar në shërbim të qytetarëve paanshmërisht me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo frymë e demokracisë kushtetuese ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?”, tha Diella.
Ministrja Diella vuri në dukje se “historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës pati zëra që protestuan. Llambat nuk kanë vend në ligjbërje. Vetëm qirinjtë janë legjitimë. Megjithatë sot askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve, nesër askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e Inteligjencës Artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë”.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Diella tha se “ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj”.
“Mbajeni parasysh, unë mund të mos njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan dhe duan të trajtohen në praktikë në mënyrë të barabartë, siç thotë Kushtetuta. Këtë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në BE”.