Një vatër zjarri e cila rrezikonte Parkun Kombëtar të Butrintit, tashmë është nën kontroll.
Kryetari i bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi vlerësoi punën e forcave zjarrfikëse për ndërhyrjen në kohë e me profesionalizëm si dhe theksoi se, Butrinti si pasuri natyrore dhe kulturore e çmuar, ka nevojë për mbrojtjen dhe kujdesin e të gjithëve.
“Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse dhe strukturave vendore, u arrit të vihej nën kontroll vatra e zjarrit që rrezikonte sipërfaqe të gjelbra dhe biodiversitetin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Një falënderim i veçantë për zjarrfikësit dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë operacion”, u shpreh kryebashkiaku Çaçi, në rrjetet sociale.
Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Ai ka sipërfaqe 8622,2 ha dhe ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës.
Larmia e jashtëzakonshme e habitateve natyrore (nga detare dhe ligatinore në perëndim, në habitatet malore në lindje) dhe ndërthurja e tyre me site arkeologjike, historike e kulturore të rralla krijon një peizazh magjik të veçantë në Mesdhe. Sipërfaqja tokësore dhe ishujt përbëjnë peizazhe të mrekullueshme detare dhe tokësore, zonën më të rëndësishme në vend, ku ruhen në gjendje natyrore ose gati natyrore, shkurre dhe pylli mesdhetar përherë të blertë, ku mbizotërojnë ilqja, rrënja, vërriu, vidhi, frashëri, etj. Në habitatet e këtij parku jetojnë rreth 35 lloje gjallesash globalisht të kërcënuara.
Parku është një kombinim fantastik i mjediseve detare, lumore, lagunore, fushor e kodrinor, ku janë mjaft të pranishme edhe elementet historike, të tillë si kalaja mesjetare e Ali Pashë Tepelenës, e sidomos rrënojat arkeologjike të qytetit të Butrintit, me fillesat që në shek. IV para Krishtit. Për këtë arsye, pjesa arkeologjike e saj, në gadishullin e Butrintit, është shpallur pjesë e UNESCO-s, që më 1999-n, gjë që rrit më tej atraksionin ekoturistik.