Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se ndryshimi i strukturës së komisoneve në Parlament është thelbësorë në kuadër të objektivit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Gjatë punimeve sot në seancë plenare, opozita shprehur shqetësimin e saj mbi ndryshimet e propozuara nga Partia Socialiste për strukturën e komisioneve në Kuvend.
Balla gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, u shpreh se ky nuk është një propozim i ri. Sipas tij, ky propozim “për herë të parë është depozituar i plotë në formë e përmbajtje dhe që ka të bëjë me një transformim të domosdoshëm të organizimit të Kuvendit të Shqipërisë, sipas nevojës që ka sot Kuvendi dhe Shqipëria jonë e përbashkët”.
“Nuk mund të vazhdonim në vitin 2025 me një ndarje komisionesh që në një sektor të caktuar risillte një emërtesë që transpozohej që nga Kuvendi Popullor i vitit 1988”, vijoi Balla.
Balla theksoi se “kjo mazhorancë, ky kryeministër, Edi Rama janë votuar nga populli shqiptar me një shumicë si asnjëherë tjetër në zgjedhjet e 11 majit, për të jetësuar vizionin tonë “Shqipëria 2030, anëtare e Bashkimit Europian”. Për këtë arsye kemi ardhur me një propozim ku puna në komisionet e Parlamentit të reflektojë pikësëpari kapitujt dhe grup-kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit në Bashkimin Europian, me një fokus të veçantë në disa fusha, ku mendoj se edhe opozita pa dyshim ka rolin e vet të pazëvendësueshëm”.
Duke i’u përgjigjur opozitës, Balla nënvizon se i janë marrë komisionet opozitës. Balla theksoi se “përkundrazi, kemi shtuar më shumë fusha përgjegjësie se sa kishin dhe i kemi besuar opozitës fusha jetike”.
“Mendoj se është jetike për opozitën që të vijë në Kuvend dhe të drejtojë komisionin që lidhet me Arsimin. Është jetike për opozitën të drejtojë Komisionin për Shëndetësinë.
Është jetike për opozitën të drejtojë komisionin ndër më të rëndësishmit në çdo parlament, përfshirë Kongresin Amerikan, atë të të Drejtave të Njeriut. Nuk e ke pasur se të drejtat e njeriut kanë qenë te Ligjet. Do t’i mësoni dalëngadalë”, tha Balla.
Ai shtoi se “është jetike për opozitën që të vijë në kuvend pas asaj vote historike të 11 majit të diasporës, që t’i besohet opozitës drejtimi i Komisionit të Diasporës, që lidhet në mënyrë shumë të plotë edhe me çështjet e kulturës, sepse duhet t’i shërbejmë diasporës më mirë se çdo herë tjetër dhe na duhen edhe çështje që lidhen me turizmin”.
Lidhur me shqetësimin e se do të shkrihet komisioni Integrimit, Balla tha: “Jo, nuk kemi shkrirë Komisionin e Integrimit. Përkundrazi, kemi bashkuar Punët e jashtme dhe integrimin tek Komisioni për Europën, sepse kjo parti, Edi Rama dhe Partia Socialiste janë votuar pikërisht për këtë vizion”.
“Ndërkohë që ju, Europën nuk e kishit fare pjesë të diskursit tuaj dhe angazhimit tuaj politik në fushatën e fundit. Ne jemi votuar për Europën dhe punët e saj. Pa dyshim duam t’i bëjmë bashkë me ju dhe jeni të ftuar të punojmë për realizimin e kësaj aspirate historike: Shqipëria në Bashkimin Europian. Nëse doni të jeni pjesë e kësaj, votoni ndryshimet e propozuara”, përfundoi Balla.