Është paraqitur për pak minuta në Prokurorinë e Posaçme AntiKorrupsion kryedemokrati Sali Berisha, këtë të hënë, 15 shtator.
Pasi doli nga SPAK, ai vijoi me akuzat ndaj kreut të këtij institucioni, Altin Dumani, duke e cilësuar “kriminel kushtetues”.
“Altin Dumani po shkulte leshrat, po qante dhe bërtiste sepse u bënë pluhur përpjekjet e tij puçiste antikushtetuese për të zgjatur mandatin. Ky kriminel kushtetues përdori detyrën, besimin dhe ligjin për të bërë pazare për interesa personale. Ky kriminel kushtetues amnistoi ministra që bënin pazare me kartelet e drogës, Taulantin që zbatonte porositë e Suelit për të arrestuar kundërshtarët e bandës së Suelit. Taulantin, që urdhërohej nga Çela për të liruar terroristët që vendosën nën shalën e biçikletës së Lulzim Kullës tritolin”, deklaroi Berisha pas vizitës së shkurtër në këtë institucion.
Siç pretendon ai, Dumani “bën pazare me krimet e Ulsi Manjës apo të kryeministrit Edi Rama”.
“Merrte dy kostume të bukura nga Altin Hajri dhe që kërkonte nga banditët dhe trafikantët 500 mijë euro dhe çantën Louis Vuitton se i duhej për zonjën. Pazare me Edi Ramën sepse e nxori Olsin të panjohur, në një kohë kur Olsi ishte absolutisht në krye të organizatës kriminale të grupit të Xibrakës që drejtohej nga Hakmarrja për Drejtësi”, tha ai.
Ndërkohë, raportohet se ka nisur seanca e radhës për gjyqin në themel të çështjes “Partizani” ndaj Berishës, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë.
Në muajin korrik, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi kërkesën e avokatëve të Sali Berishës dhe Malltezit të cilët kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj.
Kujtojmë se Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, kryer në bashkëpunim, ndërsa Jamarbër Malltezi për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Të pandehur në këtë çështje janë gjithashtu edhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Dosja lidhet me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë, që dikur ishte pronë e Ministrisë së Mbrojtjes. Hetimet e SPAK pretendojnë se ky proces është zhvilluar në mënyrë të paligjshme dhe ka sjellë përfitime të padrejta për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha.