Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Tiranë, janë marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e futbollit europian.
U vendos që finalja e Champions League 2027 të luhet në stadiumin “Metropolitano” të Madridit, ndërsa finalja e Champions League për femra në të njëjtin vit do të zhvillohet në Varshavë të Polonisë.
Për vitin 2027 u përcaktua që Kampionati Europian U-19 në futsall të zhvillohet në Astana, Kazakistan, dhe Europiani i Futsall-it për femra në Osijek të Kroacisë.
U miratuan ndryshime në rregullore, duke lejuar zëvendësime të përkohshme të lojtarëve të dëmtuar deri në javën e gjashtë të fazës së ligës, duke nisur nga sezoni 2025/2026.
Komiteti vendosi gjithashtu një fond shpërblimi prej 1 milion eurosh për Kombëtaret e vajzave në Ligën e Kombeve.
Një temë tjetër diskutimi ishte mundësia që disa ndeshje të kampionateve kombëtare të zhvillohen jashtë Europës, por për këtë çështje nuk u mor ende vendim përfundimtar.
Mbledhja u shoqërua edhe me një aktivitet për fëmijë në “Shtëpinë e Futbollit”, me pjesëmarrjen e Aleksander Ceferin, Armand Dukës dhe disa legjendave të futbollit europian.
Vendimet e marrë nga UEFA për finalet:
Finalja e UEFA Champions League 2027 – “Estadio Metropolitano”, Madrid, Spanjë
Finalja e Ligës së Kampionëve të Femrave UEFA 2027 – Stadiumi Kombëtar, Varshavë, Poloni
Superkupa e UEFA-s 2026 – Salzburg, Austri
Finalja e UEFA Futsal Champions League 2026 – Pesaro, Itali
2027 UEFA Futsal U-19 EURO – Astana, Kazakistan
2027 UEFA Futsal për Femra EURO – Osijek, Kroaci