Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj personave me inicialet E.N. dhe K.K., të akuzuar për vrasje me dashje e mbetur në tentativë, mbajtje pa leje të armëve dhe moskallëzim krimi, në lidhje me një ngjarje të rëndë të ndodhur më 30 korrik 2023 në qytetin e Fierit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në kompleksin “Albes”, në lagjen Sheq i Madh, ku shtetasi O.B. ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas dosjes hetimore, rreth orës 04:00 të mëngjesit, viktima O.B. ndodhej në lokalin e kompleksit “Albes” së bashku me persona të tjerë. Në këtë kohë janë afruar me një automjet tip Audi A8, me ngjyrë të zezë, të pandehurit E.N. dhe K.K., me të cilët ka ndodhur një konflikt verbal i çastit.
Pasi janë larguar fillimisht, të pandehurit janë rikthyer sërish në vendngjarje rreth orës 05:30, ku konflikti është përshkallëzuar. Në këtë moment, sipas Prokurorisë, E.N. ka nxjerrë armën nga brenda automjetit të tij dhe ka qëlluar në drejtim të O.B., duke e lënë të plagosur rëndë.
Brenda automjetit në momentin e ngjarjes ndodhej edhe K.K., i cili akuzohet për moskallëzim të krimit. Pas të shtënave, të dy të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Pas kryerjes së veprime hetimore të plota u provua se, më datë 30.07.2023, rreth orës 04.00, viktima O.B ka qenë ulur në lokalin e kompleksit ‘Albes’ në shoqërinë e personave të tjerë dhe aty janë afruar me automjetin Audi A8 me ngjyrë të zezë edhe të pandehurit E.N dhe K.K, ku ndërmjet tyre ka pasur një debat banal dhe më pas të pandehurit E.N dhe K.K janë larguar me automjetin e tyre.
Më pas, rreth orës 05.30, rezulton se të pandehurit janë kthyer sërish në lokalin e kompleksit ‘Albes’ dhe janë konfliktuar me fjalë me viktimën, dhe pasi i pandehuri E.N është futur në automjetin e tij, nga brenda automjetit të tij ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit O.B, i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Në automjetin e shtetasit E.N ka qenë si pasagjer shtetasi K.K. Pas ndodhjes së ngjarjes të dy personat janë larguar.“, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të veprimeve hetimore, Prokuroria ka ngritur ndaj shtetasit E.N. akuzat për: “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë” (nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal) dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” (neni 278/1 i Kodit Penal).
Ndërsa ndaj K.K. është ngritur akuza për: “Moskallëzim i krimit” (neni 300 i Kodit Penal).
Prokuroria ka bërë të ditur se çështja penale është dërguar tashmë për gjykim në Gjykatën e Fierit, ndërsa shpreh angazhimin për të çuar para drejtësisë çdo person të përfshirë në vepra penale që cënojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.