Kanë kaluar 24 vjet, por 11 shtatori 2001 është një datë që bota nuk e harron.
“09/11” siç përkujtohet në anglisht ku muaji vendoset para ditës pasi është e zakonshme në Shtetet e Bashkuara, ishte sulmi terrorist më shkatërrues në histori. Nxiti dy luftëra që zgjatën për dekada dhe një të tretë, luftën globale ndaj terrorizmit që përfshiu shumë shtete dhe ende s’ka mbaruar vërtet. Në 24-vjetorin e sulmit që shkatërroi Kullat Binjake në Nju-Jork dhe një pjesë të Pentagonit duke vrarë thuajse 3 mijë njerëz, La Repubblica bën një përmbledhje të 11 shtatorit.
Sulmi
Më 11 shtator 2001, katër vetëvrasje të njëpasnjëshme kamikaze u kryen nga terroristët islamikë kundër SHBA-ve. Të armatosur me bisturi dhe gaz lotsjellës, 19 keqbërës, disa prej të cilëve kishin licencë piloti nga shkollat private të fluturimit, morën peng katër avionë që ishin nisur nga Bostoni, Uashingtoni dhe Njuarku. Ata morën me forcë kontrollin e kabinave që asokohe nuk ishin të mbyllura nga brenda siç më vonë u bë e detyrueshme.
Pasi shtynë me forcë ekuipazhin dhe pasagjerët në fund të mjetit fluturues, terroristët pilotuan dy avionët, një të American Airlines dhe një të United Airlines, drejt Kullave Binjake, qiejgërvishtësve më të lartë të Nju-Jorkut. Kulla Veriore u sulmua në 8:46 të mëngjesit dhe Jugorja në 09:03. Të dyja u rrëzuan brenda një ore e 42 minutave duke shpënë drejt qiellit një re gjigante pluhuri dhe duke shkatërruar thuajse pesë godina ngjitur. Shumë njerëz të ngecur në katet e tyre të shkatërruar nga goditjet e avionëve dhe të përfshirë nga flakët, vdiqën duke u hedhur nga dritarja sesa të mbesnin robër të atij ferri.
Avioni i tretë iu drejtua Uashingtonit dhe u përplas në anën veriore të Pentagonit, selisë së Departamentit amerikan të Mbrojtjes, në orën 09:37 duke shkaktuar shkatërrimin e pjesshëm të ndërtesës. Pasagjerët e fluturimit të katërt që mësuan përmes telefonatave se çfarë po ndodhte dhe kuptuan se keqbërësit synonin t’i vrisnin në një tjetër sulm kamikaz, u revoltuan dhe i sulmuan ata fizikisht. Terroristët vendosën ta përplasnin avionin në tokë dhe ai ra në një fushë të Pensilvanisë më 10:03. Hetimet e mëvonshme zbuluan se shënjestra e avionit të katërt ishte Kapitoli ose Shtëpia e Bardhë.

Viktimat dhe dëmet
Sulmet vranë 2,977 persona, lënduan mijëra dhe shkaktuan dëme me vlerë 10 miliardë dollarë. Mes të vdekurve ishin 343 zjarrfikës që morën pjesë në operacionet e shpëtimit. Shkatërrimi i Kullave Binjake dhe ndërtesave pranë, të cilat gjendeshin në “Wall Street”, shkaktuan një goditje të rëndë në ekonominë amerikane dhe një tronditje të menjëhershme në tregjet botërore.
Heqja e rrënojave nga “Ground Zero”, zona në Manhatan që u godit nga dy avionët e parë, u realizua plotësisht nëntë muaj më vonë, në maj 2002. U desh një vit që të rindërtohej Pentagoni. Ndërtimi i qiellgërvishtësit që zëvendësoi Kullat Binjake, “One World Trade Center” dhe është pjesë e një kompleksi ku ka një memorial e muze, nisi në 2006 dhe mbaroi në 2014.

Reagimi
Menjëherë pas sulmeve, fluturimet në Amerikën Veriore, përfshirë Kanadanë, u ndaluan për dy ditë. Atë mbrëmje, CIA informoi presidentin Xhorxh W. Bush se kishte identifikuar Osama bin Ladenin, liderin e al-Kaedës, një grupi terrorist përgjegjës për disa sulme në forcat amerikane, si organizator. Motivi për 11 shtatorin, sipas CIA-s, ishte hakmarrja kundër amerikanëve për mbështetjen ndaj Izraelit, praninë e bazave ushtarake amerikane në Arabinë Saudite dhe përgjithësisht, kundërshtimi i perëndimit.
Ditët në vijim, Bush, i cili gjendej në “Air Force One” për arsye sigurie, u përgjigj me urdhrin për pushtimin e Afganistanit ku bin Ladeni kishte bazën operacionale. Talebanët që asokohe ishin në pushtet, refuzuan ta dorëzonin bin Ladenin. Për herë të parë, SHBA-të përdorën Artikullin 5 të traktatit të NATO-s sipas të cilit sulmi ndaj një vendi anëtar është ndaj të gjithëve. Kjo solli formimin e një aleance të gjerë ushtarake që pushtoi Afganistanin, dëboi talebanët nga Kabuli dhe vendosi një qeveri demokratike. Megjithatë, talebanët nuk u mposhtën kurrë plotësisht. Në 2021, pas 20 viteve luftë, forcat amerikane u tërhoqën dhe regjimi u rikthye, më i ashpër se më parë.
Në 2003, SHBA-të dhe aleatët pushtuan Irakun dhe rrëzuan Sadam Hyseinin, diktatorin e akuzuar për posedimin e armëve të shkatërrimit në masë. Pushtimi u justifikua si luftë parandaluese për të shmangur sulmet e mëtejshme dhe promovuar demokracinë në Lindjen e Mesme. Numri i plotë i vdekjeve në luftërat e Afganistanit dhe Irakut, përfshirë edhe të vrarët në radhët ushtarake, vlerësohet në 4,5 milionë.

Osama bin Laden
Edhe pse u përndoq nga forcat amerikane, përfshirë ato speciale dhe agjentët e inteligjencës, Osama bin Laden ia mbathi nga Afganistani me ndihmën e rrethit të ngushtë. U deshën vite hetimesh nga CIA që të mësohej se po jetonte në një shtëpi në Abotatabad në Pakistan, nga e cila nuk doli kurrë. Ai u vra më 2 maj 2011 nga forcat amerikane.
Presidenti Barak Obama që udhëhiqte vendin në atë periudhë, ndoqi operacionin nga Shtëpia e Bardhë. Pasi komandantët konfirmuan se gjeniu i lig pas sulmeve të 11 shtatorit kishte vdekur, Obama telefonoi Bush që t’ia jepte lajmin personalisht.

Kritikat
Lufta kundër terrorizmit shkaktoi kritika të forta ndaj SHBA-ve për cenim të të drejtave të njeriut, sidomos për metodat hetimore ndaj anëtarëve të al-Kaedës si zhytja e vazhdueshme në ujë duke simuluar mbytjen dhe kapja e tyre në fshehtësi e më pas transferimi në vendet aleate ku mund të torturoheshin jashtë juridiksionit amerikan për të nxjerrë informata.
Kritika të ngjashme rrethuan Gjirin e Guantanamos, kampi amerikan i dënimit në Kubë ku qindra terroristë të dyshuar qëndruan për vite pa akuzë a gjyq, në kushte që Amnesty International dhe organizata të tjera të të drejtave të njeriut i quanin abuzive. 780 persona nga 48 shtete qëndronin në Guantanamo, 756 u liruan ose transferuan dhe 9 vdiqën aty, ndërsa tani janë ende 15 të burgosur.

Kujtimi
Si në shumë ngjarje të tjera historike, miliona amerikanë ende e mbajnë mend saktësisht ku ishin dhe çfarë po bënin kur mësuan për 9/11. Edhe përtej SHBA-ve, shumë njerëz nuk e kanë harruar kurrë momentin kur panë në televizor qiejgërvishtësit njujorkezë në flakë dhe më pas të rrënuar.
Nuk dihej nëse ishte një dëmtim teknik, urgjencë shëndetësore e ndonjë piloti a ndonjë aksident tjetër. më pas në ekran u shfaq një hije dhe një shpërthim zjarri: avioni i dytë goditi kullën tjetër. Nuk ishte aksident.
