Një sulm i armatosur ndaj një komisariati policie në Izmir, në perëndim të Turqisë u mori jetën dy policëve.
Sipas autoriteteve, të plagosur mbetën dy efektivë të tjerë, ndërsa gjendja e njërit prej tyre raportohet të jetë kritike.
Autori i dyshuar i sulmit, një 16-vjeçar, ka hapur zjarr ndaj komisariatit Salih Isgören në zonën Balçova. Sipas mediave turke, i riu është arrestuar pas ngjarjes.
Videoja e filmuar nga një dëshmitar okular tregon autorin teksa po largohet me nxitim nga vendi i ngjarjes, ndërsa në dorë mban armën e krimit.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, konfirmoi përmes një reagimi në rrjetet sociale bilancin e viktimave dhe dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë një akt kriminal të papranueshëm.
Në një reagim të ngjashëm, Cemil Tugay, kryebashkiaku i Izmirit, dënoi me forcë sulmin e cilësuar nga si “i neveritshëm”.
Autoritetet kanë bërë me dije se po punohet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Në të kaluarën, Turqia ka qenë shënjestër e sulmeve nga rebelët kurdë, organizatat islamike dhe grupet e ekstremit të majtë, ku shpesh shënjestrohen forcat e sigurisë.