Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi arrestin me burg për ish-presidentin Ilir Meta, i cili në një ankimim kërkoi lirimin nga qelia.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani tha se do të vazhdojë me kërkesën për zëvendësimin e masës.
“Është keqardhje e madhe kjo. Mos mendojë se tallen me ne. Nuk tallen me ne, kot e kanë. Me mua nuk kanë shanse për t’u tallur. Unë vij bëj procedurën, por mos kujtojnë se tallen me ne”, tha avokati i Metës, Kujtim Cakrani.
Ai hodhi akuza edhe ndaj gjyqtarëve që sipas tij nuk u ngritën në lartësinë e detyrës së tyre.
“Këta janë gjyqtarë të varur nga opinioni publik”, tha Cakrani.
“Zoti Meta nuk është thjesht një ish-presidenti. Është kryetari i Partisë së Lirisë, është numri i dytë i opozitës dhe do ketë grupin parlamentar në Kuvend. Nëse doni ta quani aty është i paraburgosur dhe normale, kjo nuk është normale”, shtoi ai.
Kujtojmë se SPAK ka dërguar në gjyq dosjen ndaj Metës dhe Monika Kryemadhit, duke i akuzuar ata për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Të pandehur në këtë dosje janë marrë gjithashtu edhe tre persona të tjerë, përfshirë nënën e Kryemadhit.
Gjyqtare e caktuar me short për të marr në shqyrtim kërkesën e SPAK për të çuar në gjyq ish-presidentin Ilir Meta, Monika Kryemadhin dhe tre të tjerë, është Irena Gjoka.