Një megaoperacion antidrogë është zhvilluar pak pas mesnatës në disa qytete të qarkut të Elbasanit, duke çuar në arrestimin e 39 personave të përfshirë në veprimtari të paligjshme të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, i cili është zhvilluar njëkohësisht në qytetet Prrenjas, Librazhd, Gramsh, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Elbasan, policia e Elbasanit ka sekuestruar armë zjarri, municione, paketa kontrabandë, shuma parash, thika, përforcues grushti, kokainë, kanabis.
Fillimisht gazetari Fatos Salliu duke raportuar nga Elbasani për Klan News tha se: “Një operacion i madh është zhvilluar pas mesnate në 7 bashki të qarkut të Elbasanit. Është operacion antidrogë bazuar në një urdhër të lëshuar nga gjykata e Rrethit gjyqësor të Elbasanit dhe janë angazhuar dhjetëra forca policie të ardhura nga Tirana. Paraprakisht sipas të dhëave ende jo zyrtare mendohet se janë shoqëruar rreth 40 persona.”
Ky operacion vjen pas disa muajsh hetime nga Policia e Elbasanit dhe duke konfirmuar se bëhet fjalë për 30 persona të arrestuar.
Operacioni i befasishëm kishte në fokus goditjen e një rrjeti kriminal të organizuar, që dyshohet se ishte i përfshirë në kultivimin, përpunimin dhe trafikimin e drogës, si dhe mbajtjen pa leje të armëve të zjarrit. Sipas Dacit, të akuzuarit shpërndanin lëndët narkotike pranë ambienteve shkollore.
Hetimet pritet të zgjerojnë edhe më tej rrethin e personave të përfshirë, ndërsa më shumë detaje mbi operacionin pritet të bëhen publike nga Policia e Shtetit në një konferencë për mediat gjatë ditës së sotme.
Ky është një nga operacionet më të mëdha të kryera këtë vit në territorin e qarkut Elbasan, një zonë që prej vitesh ndodhet nën vëzhgim të shtuar për aktivitetet kriminale të lidhura me narkotikët.