Screenshot 2025 09 04 120045 696x446

Në fshatin Drashovicë u përkujtua “105-vjetori i Luftës së Vlorës-1920”, organizuar nga bashkia e Selenicës.

Pranë Monumentit të Drashovicës, i cili në gjysmëharkun e tij përjetëson Luftën e Vlorës të vitit 1920, u vendosën kurora dhe u bënë nderimet e rastit nga kryetari i bashkisë Selenicë Nertil Bellaj, prefekti i qarkut, Plator Nesturi, deputetët Vullnet Sinaj e Bujar Leskaj, zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti, kryetarët e qarqeve Vlorë e Gjirokastër, Ervis Moçka e Dino Selimi, si dhe nga kryetarët e bashkive Vlorë, Tepelenë e Memaliaj, Ermal Dredha, Julinda Karteri e Albert Malaj.

Kurora dhe tufa me lule u vendosën edhe nga institucione e shoqata të ndryshme, si edhe nga pasardhës të heronjve e luftëtarëve të kësaj lufte.

Në vazhdim në Kotë, në një prej lokacioneve të një prej betejave më të njohura të kësaj lufte, u organizua “Akademia historike”, një aktivitet ky i zhvilluar për herë të parë e ku morën pjesë drejtues të pushtetit vendor, intelektualë e figura të njohura të shkencave historike, si dhe pasardhës të familjeve të heronjve por edhe drejtuesve të kësaj lufte.

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i bashkisë, Nertil Bellaj, ndërsa më pas folën prof. Paskal Milo, akademik Pëllumb Xhufi, profesorët Bardhosh Gaçe, Bernard Zotaj e Zaho Golemi, msc. Albert Habazaj si dhe deputeti Vullnet Sinaj.

Në aktivitet përshëndetën edhe pasardhës të Heronjve të Popullit, Sali Vranishti, Zigur Lelo e Selam Musai e të tjerë.

Aktiviteti u përshëndet me këngë labe kushtuar kësaj lufte të lavdishme, kënduar nga grupi i Bënçës (Tepelenë) dhe grupi i Kotës (Selenicë).

Data 3 shtator 2025 shënoi pikërisht 105-vjetorin e ditës kur pas nëntëdhjetë ditë luftimesh luftëtarët e inkuadruar në çeta të ardhura nga të gjitha trevat e Labërisë, por edhe nga vise të tjera shqiptare, çliruan Vlorën nga pushtuesit italianë.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights