Në nder të figurës dhe trashëgimisë që la pas, institucione dhe personalitete të shumta reaguan menjëherë, duke shprehur respektin dhe dhimbjen për humbjen e një ikone të artit shqiptar
Dhimitër Anagnosti, figura e shquar e kinematografisë shqiptare, ndërroi jetë të hënën, 1 shtator, pas një sëmundjeje të gjatë.
Lajmin e hidhur e njoftoi vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi në Facebook ku shkruante:
Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë ju binde ligjit të jetës! Lamtumirë babush!
Kjo e fundit e kujtonte kështu takimin e tyre të parë:
Takimi i parë me Dhimitrin ka qenë në kinoprova, ku ai ishte në kamera, por syri i kameras e fiksoi mesa duket… Pas këtij filmi ne u fejuam. Dhe tek filmi “Komisari i dritës” ne ishim të sapomartuar dhe Dhimitri ishte regjisor i filmit. Anagnosti për mua është një idhull, jo vetëm si bashkëshort, por edhe si koleg. Ai është një mbështetje e jashtëzakonshme dhe nuk gjej fjalë për të… Edhe tani ai më nxit të vazhdoj karrierën, ka vlera të jashtëzakonshme dhe është shumë modest.
Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar”, Roza Anagnosti.
Dhimitër Anagnosti lindi në fshatin Vuno të Vlorës më 23 Janar 1936 dhe është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954-1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.
Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.
Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”. Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”…
Reagimet për lajmin e hidhur
Në nder të figurës dhe trashëgimisë që la pas, institucione dhe personalitete të shumta reaguan menjëherë, duke shprehur respektin dhe dhimbjen për humbjen e një ikone të artit shqiptar.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, shprehu ngushëllimet e tij duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Anagnostit në artin shqiptar.
“Plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput sot një tjetër yll. Lamtumirë, Dhimitër Anagnosti! Shqiptarët do të vazhdojnë të magjepsen nga arti yt i madh!”
Kryeministri Edi Rama reagoi pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit, duke e cilësuar “babai i kinemasë shqiptare”.
“Barba Taqo, siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri, u prehsh në paqe Grand Master. Një jetë e tërë me kokën lart, mjeshtër i kinemasë dhe i shpirtit shqiptar!”
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e kujtoi si një ndër më të mëdhenjtë e kinemasë shqiptare.
“Dhimitër Anagnosti, artisti, kineasti, skenaristi dhe regjisori i klasit të parë, u largua sot nga bota jonë, duke lënë pas dhjetëra filma të tij, në të dy kohët, në të cilët pasqyroi në mënyrë të epërme botën shqiptare. Me personazhet emblematikë që krijoi, Anagnosti do të mbetet përgjithmonë në panteonin e artit kombëtar dhe do të jetojë në kujtesën tonë si një ndër më të mëdhenjtë e kinemasë shqiptare. U prehsh në paqe Mjeshtër!”
Për kryedemokratin, Sali Berisha, regjisori do jetojë përgjithmonë në krijimet, veprën, trashëgiminë e tij të ndritur.
“Për Dhimitër Anagnostin, kollos i regjisë, filmit, skenarit, intelektual i shquar i kombit, ish-ministër i aftë dhe dinjitoz, atdhetar, prind, bashkëshort e qytetar shembullor, dielli perëndoi përgjithmonë.”
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit, aty ku po mbahen homazhet në nderim të regjisorit të madh, Dhimitër Anagnosti.
Rama ka lënë një shënim në kujtim të atij që ai e cilëson “Barba Taqo”.
