538699646 1170926991732575 1608012622808659765 n 1024x577

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka reaguar zyrtarisht në lidhje me zërat e fundit që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale, sipas të cilëve Shpella e Spillesë në Himarë po keqpërdoret dhe po transformohet në një hapësirë abuzive.

Në një deklaratë publike, ministria ka hedhur poshtë pretendimet se shpella po kthehet në një lavazh, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të pabazuara.

“Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj. Ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ. Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet!”, thuhet në reagim.

Më tej thuhet se pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spillesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë.

“Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës.”, vazhdon deklarata.

Ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor. Ky projekt është pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, me qëllim rijetëzimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në këtë zonë me potencial të lartë turistik.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights