Ish-presidenti Ilir Meta ka ankimuar këtë të hënë vendimin e datës 13 gusht të Apelit të Gjykatës së Posaçme, që e la në masën e sigurisë “arrest me burg“.
Meta kërkoi lirimin në fillim të muajit gusht, duke argumentuar se hetimet janë përfunduar dhe nuk ka arsye për të qëndruar në izolim.
Por gjyqtari Erjon Çela e rrëzoi kërkesën e ish-presidentit për të ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në një masë më të butë, siç është ajo e “arrestit në shtëpi” ose “detyrim paraqitjeje“. Kjo me argumentin se ekziston rreziku për të prishur provat, për të intimiduar dëshmitarët dhe për rëndimin e pozitës procedural.

Pas publikimit të argumentit të plotë të Gjykatës së Posaçme, kreu i Partisë së Lirisë reagoi nga qelia përmes një postimi në rrjetet sociale duke u shprehur i revoltuar kundër vendimit të gjyqtarit, të cilin e akuzoi se po vepron si “noter i SPAK-ut” dhe se po zbaton “diktatin e Afërmendshit”, një nofkë që Meta ia atribuon drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani.
Meta kundërshtoi arsyetimin e gjykatës, sipas të cilit lirimi i tij do të përbënte rrezik për intimidim të dëshmitarëve, të cilët pretendohet se janë pjesë e Partisë së Lirisë. Ai e cilëson këtë si “mashtrim publik”.
SPAK ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për disa vepra penale, mes të cilave korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e pasurisë, teksa ata kanë mohuar akuzat duke konsideruar hetimin si politik. Ilir Meta u arrestua në 21 tetor të vitit të shkuar me vendim të Gjykatës së Posaçme.