Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë sot në promovimin e librit ‘Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës’.
Berisha rrëfu në fjalën e tij kujtimet me Rugovën, duke u shprehur se, Rugova arriti të krijojë një unitet që Kosova nuk e ka pasur kurrë për projektin e pavarësisë.
“Presidenti Ibrahim Rugova është një nga figurat më të ndritura të historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Dhe natyrisht të flasësh për veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, duhet të zgjedhësh planin në të cilin do e trajtosh atë”, tha Berisha.
“Në rrafshin filozofik, Ibrahim Rugova është shtetari i habive të mëdha. Ky pasardhës i një familje atdhetare, i një familje qëndrestare, zgjodhi në krye të radhës jo pushkën, por gandizmin. Zgjedhje të cilën nuk e kishte bërë ndonjëherë ndonjë shqiptar në histori. Zgjedhje të cilën ndoshta në Ballkan jo e jo, por edhe në Europë nuk ishte regjistruar. Dhe me këtë zgjedhje, Ibrahim Rugova zgjodhi çelësin e artë për të hapur çdo derë. Por edhe mendjet e atyre që e donin dhe nuk e donin. E atyre që e besonin në projektin e tij dhe e kundërshtonin projektin e tij”, theksoi Berisha.
Berisha tha se, “Rugova arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur. Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur. Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov. Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës”.
“Një njeri i civilizuar me një kulturë të gjerë, që fliste shumë më pak për politikë se sa për universin kulturor. Ibrahim Rugova bënte për vete të gjithë bashkëbiseduesit, përveçse tek politikanët që nuk binin dakord me projektin e pavarësisë së Kosovës, çka për atë nuk përbënte asnjë lloj obligimi për t’u tërhequr, sepse e ka përshkruar në mënyrën më të shkëlqyer Madlen Ollbrajt, kur thotë se Dhomën Ovale, i thotë presidenti Klinton, që donte ta ndihmonte: Ibrahim, tani atë pavarësinë e kam të pamundur, por kërko diçka tjetër dhe unë jam i gatshëm ta realizoj. Ibrahimi rri, mendon dhe mendon dhe thotë: president, vetëm pavarësia zgjidh problemin. Klintoni qeshi”, rrëfeu Berisha.
Berisha u shpreh se, “Rugova ishte një gjeni i kombit shqiptar, një gjeni i papërsëritshëm, siç është Skënderbeu në beteja dhe strategjinë e tij. Siç është Nënë Tereza në forcën e jashtëzakonshme të moralit dhe parimeve që besonte. Siç është Ismail Kadare në veprat e veta. Ibrahim Rugova është në politikë. Ndaj dhe duhet të përulem me nderimin më të madh para veprës dhe kujtimit të tij’.
Berisha gjithashtu dënoi mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës
“Dënoj me forcën më të madhe mbajtjen në magazina prej 5 vitesh të shtatores së Ibrahim Rugovës nga narkoregjimi i Tiranës”, tha Berisha.