Ligjvënësit e Teksasit kanë miratuar harta të reja kongresionale të dizajnuara për t’u dhënë republikanëve një avantazh në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Pas një ngërçi dy javor, gjatë të cilit demokratët u larguan për të bllokuar votimin dhe për të mobilizuar mbështetësit kundër planeve të rishpërndarjes së zonave, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve të Teksasit miratuan vijat e reja të votimit me 88 vota pro dhe 52 kundër.
Hartat do të kalojnë tani në Senatin e shtetit, ku pritet të miratohen shpejt. Ato krijojnë pesë zona të reja me prirje republikane, të cilat do të forconin shumicën e partisë në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington DC. Shtetet e drejtuara nga demokratët po përpiqen të rishkruajnë hartat e tyre për të balancuar ato të Teksasit.
Presidenti Donald Trump mbështeti rishikimin e hartave për të mbrojtur shumicën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve. Republikanët mbajnë një shumicë të ngushtë në dhomën e ulët të Kongresit, të cilën demokratët synojnë ta rikthejnë në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026.
Votimi i së mërkurës në Teksas pasoi një përballje dramatike, pasi demokratët u larguan përtej kufijve të shtetit për t’u mohuar republikanëve kuorumin e nevojshëm në organin legjislativ shtetëror për të zhvilluar votimin.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, një republikan, urdhëroi arrestimin e demokratëve që mungonin, dhe disa prej tyre thanë se forcat e rendit kishin monitoruar shtëpitë e tyre gjatë mungesës.
Ligjvënësit u kthyen këtë javë, duke thënë se kishin arritur objektivin e tyre për të tërhequr vëmendjen kombëtare ndaj çështjes.
Për të siguruar që demokratët të mos përpiqeshin të ndalonin sërish votimin, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Teksasit, Dustin Burrows, urdhëroi mbylljen e dyerve të sallës së seancave të hënën.
Ai gjithashtu tha se demokratët do të “liroheshin në kujdestarinë” e një oficeri policie të caktuar për t’u siguruar që ata të ktheheshin në sallë të mërkurën për votimin mbi rishpërndarjen e zonave.
Një nga ligjvënëset, Nicole Collier, vendosi të flinte në sallë në vend që të shoqërohej nga një oficer. Protesta e saj u përhap mes demokratëve të tjerë, të cilët iu bashkuan dhe grisën marrëveshjet e tyre për shoqërim policor.
Që kur Teksasi filloi të planifikonte këto harta të reja votimi, shtete të tjera të kontrolluara nga të dy partitë kryesore, përfshirë Floridën, New York-un, Ohio-n dhe Missouri kanë shqyrtuar ndryshime të ngjashme.
Ligjvënësit në Kaliforni po debatojnë aktualisht për harta të reja që do t’u jepnin demokratëve përparësi në pesë distrikte, gjë që do të anulonte ndryshimet e bëra në Teksas.
Një dispozitë kyçe në Kaliforni thotë se hartat do të hynin në fuqi vetëm nëse Teksasi ose shtete të tjera do të vazhdonin me ndryshime që favorizojnë republikanët.
Pas votimit të së mërkurës, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, shkroi në X: “Është gati, Teksas.”
Hartat e reja në Teksas shkaktuan zemërim për “gerrymandering”, rishikimin e kufijve elektoralë për të favorizuar një parti politike, praktikë që përdoret nga të dy partitë kryesore dhe që është e ligjshme për sa kohë nuk gjykohet se është e motivuar nga arsye racore.
Ashtu si shtetet e tjera, Teksasi zakonisht i rishikon distriktet kongresionale një herë në dekadë, kur publikohen të dhënat e reja të popullsisë nga Censusi i SHBA-ve.
Demokratët e Teksasit kanë pohuar se rishikimi i hartave përpara regjistrimit të ardhshëm të popullsisë në vitin 2030 po bëhet mbi baza racore, një argument që është hedhur poshtë nga republikanët.
Hartat e votimit që u miratuan në vitin 2021, pas regjistrimit të fundit të popullsisë, ende po shqyrtohen në gjykata për akuza të diskriminimit racial.
Gjatë një prej shumë përplasjeve të ashpra gjatë debatit në parlamentin e Teksasit, ligjvënësi republikan Todd Hunter, i cili prezantoi projektligjin për rishpërndarjen e zonave, u duartrokit ndërsa qortoi demokratët.
“Mos hyni në këtë sallë dhe të thoni se nuk ju përfshimë,” tha ai. “U larguat për 18 ditë, dhe kjo është e gabuar.”
Demokratët në sallë vunë në pikëpyetje ligjshmërinë e hartave dhe akuzuan republikanët se po përpiqeshin të “vidhnin” një zgjedhje.
“Le të flasim për frikacakët dhe mashtruesit,” tha ligjvënësja demokrate Ann Johnson.
“Rrënja e gjithë kësaj ka të bëjë me racizmin dhe pushtetin,” shtoi ajo. “Një grabitje e pastër e pushtetit.”
Demokratët dhe grupet për të drejtat civile kanë thënë se hartat e reja do të dobësojnë fuqinë e votës së pakicave, gjë që do të shkelte ligjin federal, dhe kanë kërcënuar me padi.