Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një vizitë në Istog, ku vizitoi edhe varret e dëshmorëve të rënë në luftën për lirinë e Kosovës.
Në një intervistë për televizionin Kanali10, Berisha u shpreh se procesi në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet pa fakte.
“Deri më sot nuk kam lexuar një fakt të vetëm përgjegjës për ata që udhëhoqën këtë luftë dhe që janë sot në bankën e akuzës. Uroj që ky proces të konfirmojë, të sanksionojë pafajësinë e tyre dhe rolin që ata luajtën. Ata udhëhoqën një luftë çlirimtare’”, theksoi Berisha gjatë intervistës.
Berisha tha se “lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është faqja me e ndritur e historisë së kombit shqiptar që nga luftërat e Skënderbeut deri më sot”.
“Ajo luftë e bëri të lirë kombin shqiptarë por e bëri Ballkanin dhe Evropën me të drejtë dhe më të lirë. Në këtë kuadër asgjë nuk mund të errësojë kontributin historik të luftëtarëve të lirisë”, tha ai.
Në kuadër të kësaj vizite, Berisha vizitoi varret e dëshmorëve të rënë në luftën për lirinë e Kosovës dhe i nderoi ata.
“Betejat e luftëtarëve të Istogut dhe në tërësi të kësaj zone, kanë qenë betejat nga më të përgjakshmet, por dhe me një rol shumë të veçantë në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ndaj dhe unë shpreh edhe njëherë nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët me luftën e tyre, mbrojtën jo vetëm vlerat e shqiptarëve për liri dhe dinjitet, por ajo ishte lufta e fundit çlirimtare në Europë dhe i dhanë fund një kolonie në zemër të Europës që përbënte një turp të madh dhe të patolerueshëm”, theksoi ai.
Berisha nderoi edhe Ibrahim Rugovën, duke qenë se ishte në vendlindjen e tij, në Istog.
“Është burri i madh i këtij kombi që çështjen e drejtë të popullit të Kosovës, çështjen e lirisë dhe pavarësisë së tij, e mori nga barakat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe e çoi deri në Dhomën Ovale, në zyrat më të larta të SHBA”, theksoi Berisha në intervistën e tij për mediat e Kosovës.