Bashkimi europian 1

Pas arritjes së marrëveshjes për çështjen e tarifave me Donald Trump në një resort në Skoci, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, uroi gazetarët për një “udhëtim të mbarë drejt shtëpisë” – një urim që, siç u komentua në Bruksel, mund t’ia ketë bërë edhe vetes, teksa përballet me një klimë gjithnjë e më të tensionuar brenda Bashkimit Evropian.

Ndërsa zyrtarisht pozicioni i saj në ndërtesën Berlaymont mbetet i fortë, von der Leyen ka humbur terren politikisht jashtë “flluskës” së Brukselit. Që në fillim të korrikut ajo u përball me një sfidë serioze politike kur socialistët dhe liberalët e koalicionit të saj kundërshtuan hapur një mocion mosbesimi ndaj saj. Tani pozitat e saj duken edhe më të dobësuara.

E ndërtuar për të shmangur rivalët e brendshëm, struktura aktuale e Komisionit është e përqendruar rreth saj dhe mbështetet në dobësinë politike të komisionerëve dhe delegime që i raportojnë vetëm presidentes. Por kjo qasje e ka kthyer në një pikë të dobët: vetë përfaqësues të partisë së saj, PPE, si Jorgen Warborn, kanë kritikuar vendimet e fundit për tarifat, duke e konsideruar një prej tyre si “shkelje flagrante të rregullave të OBT-së dhe goditje ndaj konkurrueshmërisë evropiane”.

Edhe pse von der Leyen është më e dobët, sipas disa këshilltarëve të saj, liderët kombëtarë të BE-së nuk kanë fituar forcë. Pikërisht këtë argument pritet të përdorë ajo në muajt e ardhshëm, duke theksuar mungesën e alternativave të forta mes qeverive kombëtare.

Megjithatë, dy sfida madhore e presin në vjeshtë: fjalimi për “Gjendjen e Unionit”, që rrezikon të shndërrohet në një seancë tensioni parlamentar nga aleatët e pakënaqur, dhe, mbi të gjitha, miratimi i buxhetit shumëvjeçar prej rreth 2 trilionë eurosh. Ky do të jetë testi real për autoritetin e saj, sidomos pa mbështetjen e kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili ka shprehur hapur qëndrime armiqësore ndaj saj.

Strategjia e saj pritet të jetë ajo e kompromisit dhe fleksibilitetit, por shumëkush sheh në buxhetin e ri mundësinë për një përplasje të fortë politike. Në fund, si gjithmonë, arma më e fortë e von der Leyen mbeten dobësitë e të tjerëve: ajo pritet të qëndrojë në detyrë deri më 2029, ndërsa shumica e liderëve të BE-së nuk do jenë më në pushtet deri atëherë.

Rreziku, megjithatë, është real: përplasjet e brendshme mund të çojnë në një bllokim institucional katërvjeçar, duke paralizuar Komisionin dhe vetë Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, deri në fund të vitit, von der Leyen do përpiqet të kënaqë vendet kyçe si Franca, por pa veprime të forta, duke ndjekur këshillën e shefit të kabinetit të saj, Bjoern Seibert: “Sillu sikur s’ka ndodhur asgjë”.

Shkrim nga La Repubblica

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights