Një kompani që shet tekstile (stofra me metrazh) ka zbuluar në fund të vitit të kaluar se i mungonin 409 mijë euro. Pronarët e firmës kanë bërë një kontroll të hollësishëm dhe më pas kanë denoncuar në polici.
Policia ka zbuluar se një punonjës, me inicialet E. Sh., që punonte si shpërndarës porosish, dhe financierja e kompanisë, A. S., kanë bashkëpunuar për të vjedhur paratë. Pas një hetimi 6-mujor, policia ka arrestuar 37 vjeçarin, ndërsa është shpallur në kërkim financierja 30 vjeçare.
Po si është bërë vjedhja?
Siç raporton edhe gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, të dy kanë manipuluar faturat për shpërndarjet e produkteve dhe në këtë mënyrë kanë përvetësuar paratë gjatë viteve 2023-2024.
Sipas hetimeve, të dy kanë hapur një biznes tjetër në Elbasan, me një NIPT (numër biznesi) të ri, të ngjashëm me kompaninë ku punonin, por pronarët e vërtetë nuk dinin gjë. Dyshohet se aty janë investuar paratë e vjedhura
“Nga hetimet dyshohet se shtetasi E. Sh. dhe shtetasja A. S. (me detyra respektive shpërndarës i porosive dhe financiere në një subjekt që shiste tekstile me metrazhe), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë periudhës 2023-2024, kanë vjedhur nga ky subjekt, nëpërmjet mashtrimit me faturat e shpërndarjeve, rreth 409 000 euro”, njofton policia për rastin.
