if (window.location.pathname === "/" || window.location.pathname === "/index.php") { setTimeout(function(){ location.reload(); }, 15000); // 15 sekonda }
Thethi 1 1024x574

Prokurorja, Elsa Gjeli, ka reaguar zyrtarisht, lidhur me ankesat e kryeministrit, Edi Rama, se ajo ka lejuar të ngrihen ndërtimet pa leje në Theth, një zonë e mbrojtur ku nuk lejohen strukturat me beton.

Reagimi i Gjelit, i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke u shprehur se qëndrimi publik i kreut të qeverisë, është personal, diskriminues dhe i paprecedentë.

Deklaratat publike të Ramës, Gjeli i ka cilësuar si presion publik ndaj saj, që synon të vendosë në shënjestër vendimmarrjen e saj si prokurore.

“Ky qëndrim publik është:
• I paprecedentë në një shtet demokratik, ku pavarësia e magjistratëve është e garantuar me Kushtetutë;
• Personal, pasi godet një Prokuror të ri në detyrë, me eksperiencë të pastër, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm profesionalizmin tim, por edhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur dhe logjike;
• Diskriminues, pasi synon të frikësojë përmes turpit publik dhe nënçmimit figurën e një Magjistrateje të re në shërbim të shtetit.
Presioni publik ndaj meje tejkalon çdo kritikë të lejuar politike dhe synon të më vendosë në shënjestër për arsye tërësisht të lidhura me vendimmarrjen time profesionale.
“, shkruan ajo në letër.

Ajo shkruan se pavarësisht çdo gjëje, do të bënte sërish të njëjtën zgjedhje.

Por, edhe pse prokurorja cilëson se pavarësisht çdo gjëjë ajo do të bënte të njëjten zgjedhje sërish, lidhur me shtëpizat e ngritura në zonën e Thethit, vetë ajo cilëson se kur ka parë pamje të tyre në rrjetet sociale, ka konstatuar praninë e betonit në një rast. Bëhet fjalë për një pronë, e cila kishte pllaka betoni. Pronarja e kësaj strukture ka kërkuar leje në bashki për kapanonet, gjë që nuk i është dhënë nga institucioni, siç shkruan Gjeli. Për këtë arsye, prokurorja shkruan se ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, pasi vetë bashkia e ka cilësuar vendosjen e kontejnerëve si kundërvajtje administrative.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, e kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë Shkodër është konstatuar se prona e shtetases Lene Prroni, e ndodhur në koordinatën gjeografike 42.389085-19.782113, ishte e rrethuar me mure dhe hekura ngjyrë kafe, si dhe me porta të mbyllura me çelës. Gjatë këqyrjes është konstatuar vendosja e 10 kontenjerëve, të ndërtuar me konstruksion metalik, të veshur me material plastik në ngjyrë kafe, në formë rrigash, me përmasa 3.4×7.1 m. Të gjithë kontenjerët kanë qenë të kompletuar me dyer e dritare, dhe gjendeshin në gjendje të mbyllur. Këto objekte ishin të vendosur në dy grupe, të ndarë me nga pesë kontenjerë, me një kënd prej 30 gradë dhe të vendosur përballë njëri-tjetrit. 

Këta objekte nuk kishin bazament betoni, por ishin të vendosur në të katër qoshet mbi rrasa guri të prera, sipas referimit të bërë nga Policia Gjyqësore. Gjatë këqyrjes në oborr janë konstatuar pllaka betoni si ato që përdoren për trotuare si dhe llamarina model sanduiç. Në vend nuk është konstatuar prezenca e ndonjë personi.

Shtetasja Lene Prroni, e pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, ka deklaruar se: Kapanonet e gjetura janë të vendosura në pronën e saj, të cilën e ka të trashëguar nga paraardhësit e saj. Deklaron se është interesuar pranë bashkisë për të marrë leje ndërtimi për vendosjen e tyre, por i kanë thënë se nuk japin leje, pasi duhen dokumente pronësie që të përfitosh dhe ajo nuk ka dokumente pronësie, por e ka të trashëguar pronën brez pas brezi. Gjithashtu ka shpjeguar se, në dijeninë e saj, për objektet që janë pa themele, pa betone, nuk ka nevojë për të marrë leje. Tregon se paratë për ndërtimin e këtyre kapanoneve i ka marrë borxh, tek të afërmit e saj, për të ndërtuar këta kapanone, si dhe ka pasur rreth 300 krerë bagëti në Dukagjin, por duke qënë se nuk kishte çoban për t’u kujdesur për to, i ka shitur të gjitha.

Në referimin e bërë nga Komisariati i Policisë Shkodër, citohej se Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit Bashkia Shkodër e konsideronte vendosjen e kontenjerëve kundërvajtje administrative.

Në përfundim të veprimeve verifikuese, në datë 30.05.2025 kam vendosur mosfillimin e procedimit penal për këtë kallëzim, pasi fakti nuk përbënte vepër penale, por duke sqaruar se jemi në kushtet e kundravajtjes administrative”, shkruan ajo.

Gjeli kërkon nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që institucioni të analizojë sjelljen publike të Ramës, të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të prokurorëve nga sulme të politike, si dhe të ndërmarrë hapa që sigurojnë integritetin profesional të magjistratëve.

Në përfundim, në përputhje me kompetencat tuaja, kërkoj nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që:

  1. Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve;
  2. Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;
  3. Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura”, përfundon prokurorja, Elsa Gjeli.

Kujtojmë se ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dërgoi në Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli. Manja kërkoi nisjen e procedimit disiplinor ndaj Gjelit për mosfillimin e hetimeve në rastin e ndërtimit pa leje në Theth.

Risjellim në vëmendje se ishte kryeministri Rama ai që denoncoi se në mes të Thethit po ndërtohej “një fshat pa leje”. Kjo solli reagimin e institucioneve dhe prishjen e disa ndërtimeve pa leje.

Ndërkohë situata i kushtoi detyrën drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe shefit të komisariatit të cilët u shkarkuan nga detyra nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Kreu i qeverisë ka denoncuar së fundmi fenomenin e zaptimit të hapësirave publike teksa ka paralajmëruar një reformë të re ligjore për kontrollin e territorit.

FX Team

By FX Team

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights