Pak çaste pas lirimit të ish-deputetit demokrat Ervin Salianji, kreu i PD, Sali Berisha nëb një konferencë për mediat u ndal edhe tek arrestimi i ish-Presidentit Ilir Meta, të cilin e cilësoi si një tjetër të burgosur politik.
Sipas kryedemokratit ndaj Ilir Metës është ushtruar terror dhe dhunë psikologjike nga “banditët me uniformë” të burgut të Fierit.
“Dua të denoncoj këtu para jush qëndrimet e terrorit psikologjik ndaj të burgosurit tjetër politike, ish-Presidentit, ish-kryeministrit dhe ish- kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta, me urdhër të Edi Ramës dhe Ulsi Manjës. Banditë me uniformë në burgun e Fierit kanë ushtruar terror psikologjik ndaj Ilir Metës sepse ai ka dhënë intervistë në media dhe ka ushtruar të drejtën e fjalës së tij. Ky akt i shëmtuar për ndëshkimin e fjalës së lirë tregon tmerrin që Edi Rama ka për krimet e veta që ka kryer. Bandit me uniformë në zbatim të urdhrit të Edi Ramës dhe Ulsi Manjës kanë shkuar deri aty sa nuk i janë lejuar takimin me familjarët duke pretenduar se janë katër dhe mund të futen tre. Dhe shumë akte të tjera, i kanë hequr telefonin dhe të drejtën e komunikimit, sepse sipas tyre ka komunikuar me Sekretarin e Përgjithshëm të partisë së tij. Këto janë akte jashtëzakonisht të rënda të një narkoshteti, që nuk mund të ndodhin as në burgjet e Bjellorusisë”, tha kreu i opozitës.
Në shumë prej deklaratave dhe konferencave të tij, Sali Berisha ka denoncuar jo pak herë arrestimin e Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili sipas tij po mbahet me pa të drejtë në burg.
Kujtojmë se mesditën e kësaj të marte, 8 korrik, Ervin Salianji u lirua pas gati 10 muajsh në qeli. Vendimi u morr nga Gjykata e Fierit, ku u mbajt seanca për shqyrtimin e kërkesës së tij për liri me kusht. Salianji kishte kryer deri më tani 2/3 e dënimit dhe i kishin mbetur edhe 3 muaj të tjerë për të kryer dënimin e plotë.
Ndërkohë që ish-Presidenti Ilir Meta është arrestuar më 21 tetor të vitit 2024 nga Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit pranë mbikalimit të Kamzës teksa kthehej nga Kosova. Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim te pasurisë.