Një zjarr ra në një banesë të pabanuar në lagjen nr. 5 të qytetit të Kavajës, në zonën e njohur si “lagjja e Kazazëve”. Flakët u vunë në kontroll në kohë rekord nga forcat zjarrfikëse, duke shmangur përhapjen në banesat përreth.
Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ra pasditen e sotme në lagjen nr. 5 të qytetit të Kavajës, në zonën e njohur si “lagjja e Kazazëve”. Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se banesa ku shpërtheu zjarri ishte e pabanuar, pasi pronarët ndodhen në emigracion. Alarmi u dha nga banorët e zonës, të cilët, sapo vunë re tymin që dilte nga godina, njoftuan menjëherë Policinë e Shtetit dhe shërbimin zjarrfikës.
Ndërkohë, pa humbur kohë, fqinjët tentuan të ndalonin përhapjen e flakëve duke përdorur mjete rrethanore.
Policia mbërriti e para në vendngjarje, ndërsa disa sekonda më vonë, edhe zjarrfikësit e qytetit, të cilët me një ndërhyrje të shpejtë dhe guxim të lavdërueshëm, arritën të vendosnin situatën nën kontroll.
Ata ndaluan përhapjen e zjarrit në drejtim të banesave përreth, duke shmangur një tragjedi të mundshme në një zonë të ngjeshur me ndërtesa të afërta mes tyre. Si pasojë e zjarrit, u shkrumbua një magazinë ngjitur me banesën, ndërsa flakët dogjën plotësisht edhe një kopsht me pemë frutore dhe barishte që ndodhej pranë saj.
Për fat të mirë, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit, që mbeten ende mister. Duke qenë se banesa ka qenë e pabanuar dhe hyrja në të është e vështirë, hetuesit nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë edhe një zjarrvënie të mundshme të qëllimshme.