Tatimet kanë nisur prej 29 Marsit verifikimet për 100 persona apo subjekte që nuk kanë deklaruar të ardhurat e përfituara online nga rrjetet sociale.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një njoftimi, sqaron se janë 33 milionë Euro të përfituara nga individë apo subjekte, të cilat nuk janë deklaruar.
Burimi i këtyre të ardhurave janë nga rrjetet sociale Facebook, TikTok, Youtube, Instagram, Google, PayPal.
“Drejtoria e Hetimit ka nisur hetimin ndaj 100 individëve/subjekteve për të ardhurat e përfituara nga platformat sociale (Facebook; TikTok; YouTube; Instagram; Google; PayPal), ku nga verifikimet paraprake dyshohet për rreth 33 milionë euro të padeklaruara”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Administrata Tatimore u bën thirrje individëve dhe subjektet të përmbushin detyrimet ligjore nëpërmjet vetëdeklarimit në DIVA 2024.
“Ftojmë tatimpaguesit që nuk kanë reaguar ende, të kryejnë sa më shpejt këtë detyrim, për të shmangur penalitete dhe masa të tjera që mund të sjellë një hetim i thelluar”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.