Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka kërkuar rrëzimin e ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe të rrezikshëm për mjedisin dhe trashëgiminë kombëtare.
Sipas Zhupës, ligji eliminon çdo mbrojtje për zonat natyrore për t’i hapur rrugë investimeve strategjike në funksion të klientëve dhe të oligarkëve të pushtetit.
“Ligji i zonave të mbrojtura me këto ndryshime që ka bërë mazhoranca në mënyrë të njëanshme dhe të pakonsultuara është tashmë ligji i zonave të pambrojtura, i zonave normale për të ndërtuar, për të pasur investime strategjike në funksion të klientëve dhe të oligarkëve të pushtetit. Është një luftë e hapur ndaj çdo pasurie kombëtare dhe pasurie publike, për ta kthyer atë në pasuri private të një grupi klientësh dhe oligarkësh”, tha Zhupa.
Nga Gjykata Kushtetuese, e shoqëruar edhe nga juristët e Partisë Demokratike, Franc Nuri dhe Marash Logu, të cilët janë përfaqësues të PD-së në Gjykatën Kushtetuese, Zhupa solli sërish në vëmendje edhe rastin e Parkut të Butrintit.
“Prova gjenerale u bë me Parkun e Butrintit, edhe më pas kaluam te Ligji i Zonave të Mbrojtura, për të garantuar që në Shqipëri që nuk ka më asnjë zonë e cila nuk ndërtohet, e cila mbrohet, e cila trashëgohet e tillë, e palëkundur dhe e pandryshuar për brezat e ardhshëm”, tha Zhupa.
Zhupa tha se “me këtë ligj bëhet asgjësimi final i zonave të mbrojtura dhe të vetmet zona që nuk do të ndërtohen do të jenë ata të cilat nuk do të kenë interes oligarkët për t’u ndërtuar”.
Zhupa theksoi se ky ligj nuk na përafron me Bashkimin Evropian.
“Ky ligj është një ligj që nuk na përfaron me BE-në, por na largon, shkel marrëveshjen e Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në nenin 108 të saj, por shkel dhe atë që janë standardet BE-së që tentojnë të bëjnë sa më shumë politika që i ruajnë zonat e mbrojtura dhe mjedisin, por ne ndërkohë bëjmë të kundërtën, bëjmë politika që t’i shkatërrojmë zonat e mbrojtura, t’i japim zonat e mbrojtura tek oligarkët për të ndërtuar resorte dhe vila”, u shpreh Zhupa.
Zhupa tha se “do të paraqesim të gjitha shkeljet e neneve të Kushtetutës, duke nisur që nga ideja e mbrojtjes së mjedisit, te mbrojtja trashëgimisë kombëtare dhe te një proces legjislativ që nuk shërben si një nder i qeverisë, por që ka detyrimin sipas Kushtetutës, sidomos për çështjet e mjedisit, që të ketë konsultim publik”.
“Ne besojmë se Ligji i Zonave të Mbrojtura, duhet të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse Gjykata Kushtetuese i qëndron Kushtetutës dhe leximit të saktë të konventave dhe interesit kombëtar”, tha Zhupa.
Zhupa shtoi se “presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të mëdha, se bëhet fjalë për një ligj që është ndërtuar për t’i hapur rrugë investimeve strategjike, por i bëjmë thirrje mos të bjerë pre e presioneve dhe të qëndrojë në lartësinë e detyrës”.