E ardhmja e Nico Williams është kthyer në çështje në Spanjë. Sulmuesi i Athletic Bilbao shihet gjithnjë e më pranë firmës te Barcelona, fakt që nuk pëlqehet aspak nga tifozët baskë.
Diçka të tillë e konfirmon ky veprim i tyre, me muralen dhe imazhin e 22-vjeçarit që është dëmtuar prej tyre. Madje, aty është shkruar edhe një mesazh: “Largohu ose qëndro, ke humbur respektin”, duke iu referuar zërave që e shohin në Katalonjë.
Për këtë situatë ka reaguar edhe klubi spanjoll.
“Dinjiteti i një klubi është dinjiteti i njerëzve që e përbëjnë atë dhe matet me aftësinë e tyre për t’u sjellë në një mënyrë koherente me vlerat e tyre, pa rënë në provokime ose pa e ulur veten, dhe duke mbajtur gjithmonë kokën lart. Dhe nëse mendojnë se janë pjesë e kësaj familjeje, duhet ta dinë se gabohen: të mosrespektosh njërin prej nesh është të mosrespektosh vetë Athleticun”, shkruhet në statusin e klubit bask.
Murali, i krijuar nga artisti Carlos Lopez, paraqiste Williams së bashku me vëllain e tij Inaki, i cili luan gjithashtu për Athletic. Klubi ka kontaktuar Lopez për të rikthyer 22-vjeçarin në vendin e tij të merituar në veprën artistike.
Williams, i cili ka një kontratë deri në vitin 2027, është një nga asetet më të çmuara të skuadrës, me të cilën u bashkua në akademinë e tyre në 2013.