Me pretendimin se SPAK ka shkelur afatet në dhënien e informacionit për hetimet e kryera ndaj tij, ish-Presidenti i vendit Ilir Meta, kërkon lirinë në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion.
Kërkesa e tij për ndryshimin e masës së sigurisë, do të shqyrtohet më 20 qershor, në orën 11:30.
Erion Çela do të jetë gjyqtari i cili do të marrë vendimin mbi këtë kërkesë në të cilën janë paraqitur argumentet e mbrojtjes.
Meta i është drejtuar më herët GJKKO-së edhe me argumentin se është kreu i partisë së dytë opozitare në vend dhe duhet të ushtrojë aktivitetin e tij politik.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit të shkuar, nën dyshimet se ka kryer korrupsion, mosdeklarim të ardhurash e pastrim parash së bashku me ish-gruan e tij, Monika Kryemadhi.
SPAK ka dyshime se ata janë të përfshirë në aferën CEZ-DIA dhe në lobimin në SHBA.