Shefat e diplomacisë turke dhe armene shpresojnë që një afrim i kohëve të fundit në drejtim të përpjekjeve për lehtësimin e pasojave të tërmeteve në Turqi do të ndihmojë në përshpejtimin e një normalizimi të planifikuar diplomatik midis dy fqinjëve.

“Armenia na zgjati dorën e miqësisë në këtë kohë të vështirë”, tha sot në Ankara ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij armen, Ararat Mirzoyan.

Të dy ministrat thanë se qeveritë e tyre janë të gatshme të rivendosin plotësisht lidhjet,  përfshirë hapjen e kufirit.

Ata nuk dhanë një afat të saktë pasi bisedimet për këtë qëllim janë në vazhdim.

Marrëdhëniet midis fqinjëve kanë qenë të tensionuara për dekada për një sërë çështjesh, përfshirë përplasjet e armatosura mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, aleat i Turqisë.

Turqia hapi një vendkalim kufitar me Armeninë javën e kaluar, për herë të parë pas 30 vitesh për të mundësuar transportin e ndihmave.

Çavusoglu shtoi se vizita e ministrit armen ishte domethënëse.

Duke theksuar se Armenia dërgoi një ekip kërkimi dhe shpëtimi prej 28 personash në Turqi pas tërmeteve, Çavusoglu tha se përpjekjet e tyre në Adiyaman kanë vazhduar që nga 8 shkurti.

“Ata dërguan 100 tonë ndihma humanitare dhe thanë se do të dërgojnë ndihma shtesë”, shtoi ai.

Mirzoyan, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e Armenisë për të ndërtuar paqen në këto kohë të vështira.

Pritet që shefi i diplomacisë armene të vizitojë provincën Adiyaman, ku ekipi i kërkim-shpëtimit nga vendi i tij vazhdon të punojë.

https://www.facebook.com/blueledED/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Verified by MonsterInsights